Connect with us

Politike

Rama i rikthehet vrasjes së Martin Canit: Kamera në shkolla, zotimi po bëhet realitet

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar këtë të hënë se 20 shkolla në Tiranë janë pajisur me kamera inteligjente, duke e lidhur këtë hap me zotimin e dhënë pas tragjedisë së vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama rikujtoi ngjarjen e rëndë që tronditi vendin dhe tha se në atë kohë kamerat ekzistuese nuk kishin ndihmuar sa duhet për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes.

“Kur një tragjedi e tmerrshme në një shkollë të Tiranës mbajti frymën e mbarë Shqipërisë, kamerat nuk na ndihmuan dot mjaftueshëm për të kuptuar deri në fund dinamikën e asaj ngjarjeje”, shkroi Rama.

Sipas kryeministrit, pas asaj ngjarjeje ai kishte marrë përsipër që në Shqipëri të sillte teknologji të avancuar për rritjen e sigurisë në institucionet arsimore.

Rama bëri të ditur se tashmë 20 shkollat e para në kryeqytet janë pajisur me kamera inteligjente, të cilat, sipas tij, mundësojnë identifikimin dhe sinjalizimin në kohë reale të situatave që mund të përbëjnë rrezik.

Kamerat janë vendosur në të njëjtat pika ku kanë qenë sistemet e vjetra të monitorimit, por ndryshimi, sipas kryeministrit, qëndron në aftësitë e teknologjisë së re.

“Ndryshe nga të vjetrat, ato shohin dhe sinjalizojnë në kohë reale drejtorinë, punonjësit e sigurisë apo dhe vetë Policinë e Shtetit”, deklaroi Rama, duke shtuar se sistemi synon të ndihmojë në reagimin më të shpejtë ndaj situatave problematike.

Kryeministri theksoi se 20 shkollat e Tiranës janë vetëm faza e parë e projektit dhe se pajisja me këtë teknologji do të vijojë gradualisht në shkolla të tjera në vend.

“Zotimin e bërë pas asaj tragjedie do ta bëjmë realitet shkollë pas shkolle, me teknologjinë në shërbim të njeriut dhe me sigurinë e fëmijëve mbi gjithçka”, përfundoi Rama.

Fjala e plotë në video e Kryeministrit:

“Kur një tragjedi e tmerrshme në një shkollë të Tiranës mbajti frymën e mbarë Shqipërisë, kamerat nuk na ndihmuan dot mjaftueshëm për të kuptuar deri në fund dinamikën e asaj ngjarjeje.

Atëherë unë bëra një zotim dhe do të sjellim në Shqipëri nivelin më të lartë të teknologjisë për të forcuar si asnjëherë më parë sigurinë në shkolla.

Sot ky zotim ka nisur të bëhet realitet. Kemi në Tiranë 20 shkollat e para të pajisura me kamera inteligjente, të cilat janë një mjet me aftësi të jashtëzakonshme në duart e drejtuesve të shkollave, punonjësve të sigurisë dhe natyrisht të vetë prindërve.

Këto kamera janë vendosur dhe do të vendosen po aty ku ishin të vjetrat, por ndryshe nga të vjetrat, ato shohin dhe sinjalizojnë në kohë reale drejtorinë, punonjësit e sigurisë apo dhe vetë Policinë e Shtetit, duke i ndihmuar ata të kapin shpejt sinjalin, të kuptojnë shumë më mirë për çfarë bëhet fjalë dhe të ndërhyjnë pa humbur kohë.

Këto 20 shkolla janë vetëm pararoja e procesit. Zotimin e bërë pas asaj tragjedie do ta bëjmë realitet shkollë pas shkolle, me teknologjinë në shërbim të njeriut dhe me sigurinë e fëmijëve mbi gjithçka.”

Advertisement