Connect with us

Bota

Stuhi raketash mbi Hormuz/ Amerika dhe Irani përplasen, bota pret goditjen finale

Përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit hyn në një fazë të re, pas shkëmbimit të sulmeve dhe paralajmërimit të fortë të Donald Trumpit.

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Teheranin për një përgjigje të ashpër, pas sulmeve iraniane me raketa ndaj bazave amerikane në Jordani.

“Do t’i godasim fort. Do të ketë një përgjigje”, është shprehur Trump, sipas një gazetari të Fox News.

Sulmet shënojnë përplasjen e parë të drejtpërdrejtë ushtarake SHBA–Iran që nga fundi i korrikut.

Sipas një burimi të lartë iranian për Reuters, Teherani e konsideron përplasjen të kufizuar, por paralajmëron se do të përgjigjet ashpër nëse sulmohet sërish.

Nga ana tjetër, Trump deklaroi se mbrojtja ajrore amerikane ka rrëzuar raketat iraniane që mund të shkaktonin dëme dhe se sanksionet e reja po ushtrojnë presion të fortë mbi Teheranin.

Përplasja nisi pasi forcat amerikane goditën sisteme iraniane të lëshimit të raketave në ishullin Larak. Uashingtoni pretendon se forcat e Gardës Revolucionare po përgatiteshin të vendosnin mina detare në Ngushticën e Hormuzit, një nga pikat më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.

Irani pretendoi se kishte goditur edhe një bazë amerikane në Emiratet e Bashkuara Arabe, por Abu Dhabi e mohoi këtë.

Ndërkohë, presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se Teherani ende kërkon një zgjidhje përmes negociatave, duke theksuar se vazhdimi i luftës nuk është në interes të Iranit, rajonit apo botës.

Në një tjetër zhvillim, Trump publikoi në Truth Social një video të gjeneruar me inteligjencë artificiale, e cila pretendohej se tregonte shkatërrimin e ishullit Kharg, qendër e rëndësishme e eksporteve iraniane të naftës.

Por Reuters raportoi se nuk kishte prova për një sulm amerikan ndaj Kharg-ut, ndërsa një zyrtar amerikan deklaroi se ishulli nuk ishte shënjestruar.

Për momentin, mesazhet nga të dyja palët mbeten kontradiktore, por një gjë është e qartë:

Tensionet SHBA–Iran po hyjnë në një fazë ku një sulm i ri mund të ndezë një përshkallëzim shumë më të madh në Lindjen e Mesme.

Advertisement