Politike
Udhëtimi i Berishës në Amerikë/ Kikia: Udhë të mbarë, nuk mjafton për të ardhur në pushtet
Kreu i PD-së, Sali Berisha, pasi iu aprovua viza amerikane, këtë fundjavë do të udhëtojë për në SHBA, ku do të marrë pjesë në Kongresin e Partisë Republikane të presidentit Donald Trump. Por, për gazetarin Mentor Kikia, kjo nuk mund të mjaftojë që në Shqipëri të ndodhë një rotacion politik.
Në një postim në Facebook, Kikia shkruan se i vjen mirë që Berisha ka marrë vizën për në SHBA, por që për vendin tonë duhet një ndryshim radikal politik, duke dhënë edhe disa pika që duhet të ndryshojnë.
Ndërsa, në fund, gazetari thekson në postimin e tij se shumë nga mekanizmat që sot prodhojnë korrupsion e degradim të shtetit u instaluan në kohën e Berishës dhe u përsosën në këtë kohë.
“Sepse Z.Berisha kishte mundësinë të bënte gjithëçka të mirë, por nuk diti, nuk mundi apo nuk deshi. Kjo është tjetër gjë. Ai e konsumoi kohën e tij. Udhë të mbarë z.Berisha. Por vetëm kaq!”, nënvizon ai.
Postimi i plotë:
Udhë të mbarë për në Amerikë Dr.Berisha. Por vetëm kaq!
Kryetari i PD-së, Dr. Sali Berisha do të udhëtojë drejt SHBA-së. Kjo është një fitore për të. Pasi, për 5 vjet ai u ndalua dhe për këtë është sulmuar politikisht çdo ditë, nga qeveria dhe mediat pranë saj, për “pamundësinë e kalimit të oqeanit”. Sot Berisha e ka marrë vizën për ta kaluar oqeanin dhe mua personalisht më vjen mirë për ish-presidentin dhe ish-kryeministrin e vendit tim.
Por vetëm kaq!
Pasi pyetjes, “A mjafton kjo, që Berisha të rikthehet triumfalisht si një alternativë qeverisëse në Shqipëri”? – unë i përgjigjem pa mëdyshje:
Jo!
Shumë shkurt: Për gjendjen në të cilën ndodhet Shqipëria, nuk nevojitet thjeshtë një rrotacion politik. Nevojitet një “përmbysje rradikale”.
-Duhet çliruar shteti nga kontrolli politik i partisë që ka pushtetin.
-Duhet çliruar ekonomia nga paratë e krimit dhe monopolet oligarkike.
-Duhet projektuar ekonomia e qëndrueshme, që nuk mbështetet tek konsumimi barbar i aseteve natyrore, duke lënë pas një tokë pa pyje në sipërfaqe dhe pa ujë nën sipërfaqe.
-Duhet një qeveri, që në një vend, ndër më të pasurit me ujë në kontinent, t’u çojë ujë njerëzve në shtëpi dhe jo gënjeshtra çdo fushatë.
-Duhet të çmontohen mekanizmat ligjorë që ligjërojnë praktika korrupsioni të llahtarshme dhe grabitjeje të pasurive kombëtare.
-Duhet ti kthehet/vendoset legjitimiteti Parlamentit, nga një institucion shërbyes ndaj ekzekutivit, në një institucion me integritet, ligjvënës dhe monitorues i ekzekutivit.
-Duhet një qeveri që të mendojë se çdo të bëhet në këtë vend, jo vetëm pas 4 vitesh, por edhe pas 40 vitesh.
-Duhet një qeveri që të ndërtojë institucione në shërbim të qytetarëve, dhe jo të reklamojë numrat e telefonit të ministrave dhe deputetëve, që qytetarët tu kërkojnë ti zgjidhin hallet e tyre.
-Duhet të ndërtohet një shtet, ku kamarierin 18 vjeçar të mos e masakrojnë në dru pronarët e hotelit, sepse kërkoi pagën e muajit, pasi do të linte punën e papërballueshme. Të ndërtohet një shtet ku kamarieri të ketë kontratë pune, ku të përcaktohet paga, oraret e punës, ditët e pushimit dhe ti paguhen sigurimet shoqërore e shëndetësore, dhe jo të shfrytëzohet si skllav e ta rrahin nëse ngre krye.
Sali Berisha nuk e bën këtë!
Sepse shumë nga mekanizmat që sot prodhojnë korrupsion e degradim të shtetit, u instaluan në kohën e tij e u përsosën në këtë kohë.
Sepse Z.Berisha kishte mundësinë të bënte gjithëçka të mirë, por nuk diti, nuk mundi apo nuk deshi. Kjo është tjetër gjë. Ai e konsumoi kohën e tij.
Udhë të mbarë z.Berisha. Por vetëm kaq!
Sheshi u takon të rinjve, edhe brenda partisë tënde.