Politike
Veliaj firmos nga paraburgimi/ Çfarë vendosi për Bashkinë, kopshtet dhe pensionistët
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka marrë sot vendimet e para administrative nga IEVP Durrës, ku ndodhet në paraburgim.
Sipas njoftimit të Bashkisë së Tiranës, Veliaj ka miratuar dorëheqjet e zëvendëskryetares Anuela Ristani, të Sekretarit të Përgjithshëm Eldi Hoxha dhe të shefes së Kabinetit, Blerina Beshku.
Në të njëjtën ditë, kryebashkiaku ka firmosur listëpagesat e punonjësve të Bashkisë së Tiranës, të cilat, sipas institucionit, i kanë mbërritur për miratim në IEVP Durrës.
Veliaj ka miratuar gjithashtu shtesë fondesh për çerdhet dhe kopshtet e kryeqytetit, me qëllim vijimin e financimit dhe funksionimit të tyre.
Një tjetër vendim lidhet me transportin publik. Sipas Bashkisë së Tiranës, janë miratuar fondet për vijimin e aboneve falas të transportit publik për pensionistët e Tiranës.
Vendimet janë marrë në një kohë kur në strukturën drejtuese të Bashkisë së Tiranës janë shënuar disa ndryshime, përfshirë dorëheqjet e tre zyrtarëve të lartë.