Kosova
Kriza në Kosovë thellohet/ 6 deputetë të LDK-së kundër Sejdiut si president
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur pas takimit të zhvilluar me Kryesinë e LDK-së dhe mbledhjes së zhvilluar me Grupin Parlamentar të LDK-së.
Abdixhiku tha se vendimin e Kryesisë së LDK-së, e cila miratoi me vota unanime kandidaturën e Bekim Sejdiut, në mbledhjen e Grupit e kundërshtuan 6 deputetë të LDK-së, ç’ka rrezikon mos-zgjidhjen e ngërçit institucional në Kosovë.
Nëse nuk do të arrihen votat e mjaftueshme për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës, vendo do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Në orën 14:00 mbajtëm mbledhjen e Kryesisë së LDK-së, ku diskutuam jo vetëm propozimin e LDK-së për Bekim Sejdiun, por edhe gjithë angazhimin tonë politik në këtë drejtim. Sejdiu njihej si një i djathtë, si një njeri që ka punuar me dinjitet. Pa asnjë votë kundër, e gjithë Kryesia votuan për kandidaturën e profesor doktor Bekim Sejdiut. Menjëerë pas mbledhjes, me një deklaratë publike i bëmë thirrje deputetëve të LDK-së që të mbështesin këtë kandidaturë. Tani sapo mbajtëm edhe mbledhjen e grupit të LDK-së. Për fatin e keq, 6 deputetë të LDK-së kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e Kryesisë së LDK-së. Konkretisht Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj dhe Janina Ymeri kanë deklaruar se nuk e votojnë kandidatin e propozuar. Konsideroj që i bëjnë dëm të gjithë procesit, duke humbur një mundësi të jashtëzakonshme për Kosovën, për ta çuar vendin në zgjedhje. Kemi pasur një kandidaturë të shkëlqyer, të propozuar nga LDK”, tha mes të tjerash Abdixhiku.