Connect with us

Aktualitet

Karburanti i shtrenjtë, por importet rekord! Në korrik u importuan 75 mijë tonë karburant

Çmimi i lartë i karburanteve nuk ka frenuar konsumin në Shqipëri. Të dhënat për muajin korrik tregojnë një rritje të fortë të importeve të karburantit, pavarësisht se çmimi i naftës arriti rreth 200 lekë për litër.

Gjatë korrikut janë importuar 75.779 tonë karburant, rreth 4.800 tonë më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje prej afro 6.9%.

Një nga faktorët që ka ndikuar në këtë rritje është sezoni turistik, me shtimin e numrit të vizitorëve të huaj dhe përdorimin më të madh të automjeteve gjatë muajve të verës.

Megjithatë, në totalin e shtatë muajve të parë të vitit, importet rezultojnë më të ulëta. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, nga janari deri në korrik janë zhdoganuar 407.921 tonë karburant, kundrejt 416.120 tonëve në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rënia më e ndjeshme e konsumit është regjistruar gjatë muajve prill dhe maj, kur çmimi i naftës arriti në nivelet më të larta, deri në 233 lekë për litër.

Ndërkohë, rritja e çmimeve të karburanteve ka sjellë më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit. Në shtatë muaj, të ardhurat nga TVSH-ja janë rritur me 10.1%, ndërsa ato nga akciza me 3.9%.

Shtrenjtimi i naftës ka pasur gjithashtu efekt zinxhir në ekonominë shqiptare, duke ndikuar në kostot e transportit, prodhimit dhe çmimeve të mallrave. Inflacioni në korrik arriti në 3.4%, ndërsa pritshmëritë për periudhën në vijim mbeten për një nivel ende të lartë të çmimeve.

Në një kohë kur karburantet vijojnë të rëndojnë buxhetet familjare dhe kostot e bizneseve, shifrat e korrikut tregojnë një paradoks: nafta shtrenjtohet, por konsumi dhe importet rriten.

Advertisement