Kosova
Përplasje e pa precedent, rebelim në LDK/ Kurti akuzon e bën presion: Zgjedhjet në horizont
Kriza institucionale në Kosovë thellohet pas përplasjes brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.
Gjashtë deputetë të LDK-së kanë deklaruar publikisht se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Sejdiut, pavarësisht marrëveshjes së arritur mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e cilësoi vendimin si një goditje të rëndë ndaj procesit dhe paralajmëroi se kjo situatë mund ta çojë Kosovën drejt zgjedhjeve të reja. Abdixhiku tha se do të vazhdojë përpjekjet deri në momentin e fundit për të siguruar votat e nevojshme për presidentin.
Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se marrëveshja me LDK-në qëndron, por pranoi se situata ka ndryshuar dhe se nevojiten takime të reja me Abdixhikun dhe strukturat e partive.
Kurti i kritikoi gjashtë deputetët kundërshtarë, duke thënë se sjellja e tyre është e papërgjegjshme dhe se krijon përshtypjen se synimi është rikthimi në zgjedhje.
Por deputetja Hykmete Bajrami e kundërshtoi këtë qëndrim. Ajo deklaroi se është zgjedhur nga qytetarët për të përfaqësuar interesat e tyre dhe jo për t’ia zgjatur pushtetin Albin Kurtit. Sipas saj, marrëveshja është paraqitur si një fakt i kryer dhe për këtë arsye nuk mund të mbështetet.
Përplasja mes deputetëve të LDK-së dhe drejtimit të partisë e komplikon edhe më tej situatën politike në Kosovë. Nëse nuk sigurohen votat për zgjedhjen e presidentit, vendi mund të përballet sërish me zgjedhje dhe me një tjetër periudhë pasigurie institucionale.