Connect with us

Politike

Bënë gjithçka për ta zhdukur/ Harxhi: Berisha triumfoi, rikthimi në Amerikë është vetëm fillimi

Diplomatja dhe anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Edith Harxhi, e ka cilësuar udhëtimin e Sali Berishës drejt Shteteve të Bashkuara si një moment me rëndësi politike dhe simbolike për opozitën shqiptare.

E ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, Harxhi tha se rikthimi i Berishës në SHBA vjen pas një periudhe pesëvjeçare gjatë së cilës, sipas saj, janë bërë përpjekje për ta larguar atë nga jeta politike.

“Është një rikthim i Berishës, triumf ndaj baltës së hedhur në pesë vite”, u shpreh Harxhi, duke e lidhur këtë zhvillim edhe me përjashtimin e tij nga grupi parlamentar të PD-së disa vite më parë.

Sipas diplomates, kryeministri Edi Rama kishte interes që Berisha të largohej jo vetëm nga Parlamenti, por edhe nga politika shqiptare. Harxhi e konsideroi udhëtimin në SHBA si një moment simbolik për demokratët dhe për ata që, sipas saj, kanë qëndruar pas kauzës së opozitës.

“Është triumf për demokratët dhe për çdo qëndrestar”, deklaroi ajo.

Harxhi theksoi se ajo që e ka mbajtur gjallë mbështetjen për Berishën ka qenë, sipas saj, qëndresa dhe bindja se procesi do të kërkonte kohë.

“Është çështje dinjiteti dhe Berisha u mësoi demokratëve dhe shqiptarëve që dinjiteti fiton”, tha ajo.

Duke folur për heqjen e masës “non grata”, Harxhi deklaroi se një pjesë e demokratëve e prisnin këtë zhvillim. Ajo argumentoi se politika amerikane është e ndjeshme ndaj asaj që e konsideron padrejtësi dhe e lidhi këtë edhe me ndryshimet politike në SHBA.

Sipas Harxhit, fitorja e republikanëve krijoi kushtet politike për një ndryshim të qëndrimit ndaj Berishës.

“Me fitoren e republikanëve ishte një deduksion logjik që heqja e ‘non gratës’ do të ndodhte”, u shpreh ajo.

Në përfundim, Harxhi e cilësoi këtë periudhë si një moment të rëndësishëm për opozitën dhe të djathtën shqiptare, duke e përshkruar udhëtimin e Berishës në SHBA si “rikthim të dinjitetshëm”.

Advertisement