Connect with us

Pinknews

Beatrix Ramosaj ‘thyen’ heshtjen pas 5 vitesh: Përndjekësi hapi 200 profile për mua

Këngëtarja Beatrix Ramosaj ka vendosur të flasë publikisht për një situatë shqetësuese me të cilën, sipas saj, po përballet prej më shumë se pesë vitesh.

Përmes disa reagimeve në rrjetet sociale, artistja ka bërë të ditur se është përballur me përndjekje të vazhdueshme kibernetike nga i njëjti person, i cili dyshohet se ka krijuar mbi 200 profile të ndryshme në rrjetet sociale.

Sipas Beatrix, personi në fjalë është përpjekur të mbledhë informacione rreth jetës së saj private, duke kontaktuar në mënyrë të vazhdueshme familjarë, miq, persona të rrethit të saj, por edhe njerëz që ajo ndjek në rrjetet sociale.

Artistja thotë se përndjekësi është përpjekur të ndërtojë një version të jetës së saj bazuar në informacionet që arrin të gjejë online, duke plotësuar me hamendësime pjesët që nuk i di.

Pavarësisht viteve të kësaj situate, Beatrix shprehet se sot nuk ndjen më të njëjtin zemërim. Përkundrazi, ajo thotë se kjo sjellje i shkakton më shumë keqardhje, duke theksuar se jeta e saj reale është shumë më ndryshe nga ajo që mund të perceptohet përmes rrjeteve sociale.

Ajo nënvizon gjithashtu se askush nuk mund ta njohë plotësisht një person vetëm nga ato pjesë të jetës që ai zgjedh të ndajë publikisht.

Në reagimin e saj, Ramosaj i është drejtuar edhe personit që, sipas saj, qëndron pas kësaj përndjekjeje, duke i uruar të kërkojë ndihmën e nevojshme profesionale dhe të shkëputet nga ky fiksim.

Beatrix thekson se asnjë sulm apo gjykim nga jashtë nuk do të mund t’ia cenojë paqen e brendshme, ndërsa mesazhi i saj për ndjekësit është i qartë: të mbrojnë dhe të duan jetën e tyre, pavarësisht zhurmës që mund të krijohet në botën virtuale.

Advertisement