Politike
Hasimja zbërthen Ramën dhe Berishën: Njëri përballet me pakënaqësi, tjetri s’di ose aq di…
Ai analizoi zhvillimet e fundit politike dhe efektin që ato mund të kenë te dy partitë kryesore, PS dhe PD.
Sipas tij, zhvillimet e reja politike apo gjyqësore mund të dominojnë përkohësisht ekranet dhe debatet publike, por nuk mund të zhdukin arsyet që kanë nxjerrë qytetarët në protestë.
“95 ditë protestë dhe problemet janë ende aty”
Duke folur për situatën brenda kampit socialist dhe zhvillimet që lidhen edhe me Erion Veliajn, Hasimja tha se një ndryshim i mundshëm në këtë situatë nuk do të mund të fshinte problematikat që kanë krijuar pakënaqësi te qytetarët.
“Në rastin e Partisë Socialiste, mendoj që problematika e shfaqur gjatë gjithë kësaj kohe nuk do të eklipsohet qoftë edhe nga dalja e mundshme nga paraburgimi e Veliajt.”
Sipas tij, ajo që ka ndryshuar është kryesisht fokusi mediatik, jo realiteti me të cilin përballen qytetarët.
“Thjesht nëpër media kemi një zhvendosje të medias, por problematikat që i nxorën dhe arsyet që i nxorën njerëzit në shesh gjatë këtyre 95 ditëve janë po aty dhe nuk ndryshojnë”, deklaroi politologu.
Hasimja: Shqiptarët nuk dalin në protestë për strategjitë e politikanëve
Në një nga pjesët më të forta të analizës së tij, Hasimja theksoi se qytetarët nuk i kanë shqetësim kryesor lëvizjet taktike të liderëve politikë.
Në fokus, sipas tij, janë taksat, çmimet, korrupsioni dhe mungesa e meritokracisë.
“Njerëzit nuk kanë shqetësime kryesore aventurat edhe strategjitë e politikanëve, por kanë shqetësime çështjet e rritjes së taksave, rritjen e çmimeve, korrupsionin, mungesën e meritokracisë e të tjera.”
Pra, edhe nëse skena politike prodhon një tjetër zhvillim të bujshëm, pakënaqësia qytetare nuk zhduket.
Goditja edhe për PD-në: “Nuk e ka gjetur formulën”
Por kritikat e politologut nuk u ndalën te mazhoranca.
Hasimja vlerësoi se edhe Partia Demokratike ka përballë një problem të madh: nuk ka arritur ende të gjejë mënyrën e duhur për të mobilizuar elektoratin, edhe pse qeverisja përballet me probleme të rëndësishme.
“Problemet kryesore që ka Partia Demokratike, sfidat e saj mbeten në tavolinë. Partia Demokratike ende nuk e ka gjetur formulën e saktë për të mobilizuar elektoratin, edhe në kushtet kur qeverisja ka këto probleme madhore”, tha Hasimja.
Mesazhi i politologut
Në thelb, analiza e Hasimjas vendos përballë dy realitete: politikën që prodhon lajme të reja çdo ditë dhe qytetarin që përballet me problemet e përditshme.
Lëvizjet e Ramës dhe Berishës mund të ndryshojnë debatin politik, por sipas Hasimjas, ato nuk prekin thelbin e pakënaqësisë qytetare.
Taksat, çmimet, korrupsioni dhe meritokracia mbeten në qendër të shqetësimeve. Dhe pikërisht këtu, sipas politologut, duhet të matin veten si mazhoranca, ashtu edhe opozita.
