Sport
Ylli që nuk ndezi/ Zhegrova në qendër të stuhisë, Juventus i vendos çmimin dhe mund të largohet
Edon Zhegrova nuk do të jetë pjesë e Juventusit në fazën e Europa League. Klubi bardhezi ka publikuar listën e lojtarëve të regjistruar për kompeticionin europian dhe emri i sulmuesit të Kosovës mungon mes të grumbulluarve.
Përveç Zhegrovës, jashtë listës kanë mbetur edhe Khéphren Thuram, Arkadiusz Milik, Daniele Rugani dhe Jeff Ekhator.
Në rastin e Thuram, mungesa lidhet me dëmtimin e rëndë në gju, për të cilin ai pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe me shumë mundësi nuk do të rikthehet para vitit 2027.
Ndryshe nga Zhegrova, disa prej afrimeve të reja të Juventusit janë regjistruar rregullisht për Europa League.
Në listë figurojnë Grabara, Celik, Kolo Muani, Alajbegovic, Vicario, Lucumi, Woltemade dhe Sarr.
Gjithashtu, pjesë e listës është edhe Cabal, pavarësisht zërave të fundit të merkatos që e lidhnin me një largim nga Torino.
Edhe pse merkatoja e transferimeve në kampionatet kryesore të Europës u mbyll më 1 shtator, klubet ende mund të shesin lojtarë në ato liga ku afati i merkatos nuk ka përfunduar.
Në këtë situatë, e ardhmja e Edon Zhegrovës te Juventusi mbetet ende e paqartë. Fantazisti kosovar ka ngjallur interesimin konkret të Al-Itihad, me klubin saudit që pritet të bëjë një ofertë zyrtare për bardhezinjtë gjatë ditëve në vijim, përpara mbylljes së merkatos në Arabinë Saudite të dielën.
Sipas “TuttoJuve.com”, Juventusi ka vendosur edhe çmimin për kartonin e Zhegrovës. Klubi torinez do të marrë në konsideratë vetëm një shitje përfundimtare, me ofertën që duhet të nisë nga 15 milionë euro.
Kjo shifër, përmes bonuseve të ndryshme, mund të arrijë deri në 20 milionë euro.
Juventusi ka qenë i prerë edhe për formulën e transferimit: nuk pranon huazim, qoftë me të drejtë apo me detyrim blerjeje. Pra, nëse Al-Itihad dëshiron të marrë Zhegrovën, duhet të bindë bardhezinjtë me një ofertë të drejtpërdrejtë për blerjen përfundimtare të kartonit.
Tani topi është në fushën e klubit saudit: 15 milionë euro janë çmimi i nisjes për të rrëmbyer yllin dardan nga Juventusi.
