Kosova
Abdixhiku zbulon takimin ‘katër sy’/ Vjosa hapi rrugë, më tha: Kosova s’duhet të jetë peng i emrit tim
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar qëndrimin e presidentes Vjosa Osmani në procesin për zgjedhjen e presidentit konsensual, duke e cilësuar qasjen e tyre si një hap të pazakontë në politikën kosovare.
Abdixhiku tha se Osmani ka bërë hapin e parë duke hequr emrin e saj si pengesë për arritjen e një marrëveshjeje, ndërsa tani, sipas tij, diskutimi duhet të përqendrohet te sigurimi i votave.
“Osmani kishte bërë hapin e parë. Nëse është puna te votat, ne do të flasim për vota. Ajo e ka bërë hapin, e ka lëshuar rrugën. Nuk dua të jem pengesë”, deklaroi Abdixhiku.
Kreu i LDK-së zbuloi edhe detaje nga një takim kokë më kokë me presidenten Osmani. Sipas tij, ajo i ka bërë të qartë se Kosova nuk duhet të mbetet peng i një emri.
“E di gjendjen, nuk duhet Kosova të jetë peng i emrit tim. Nuk duhet të jetë apetiti emri im, e as pengesë”, citoi Abdixhiku t’i ketë thënë Osmani.
Për liderin e LDK-së, kjo qasje përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm në kulturën politike të Kosovës.
Abdixhiku deklaroi se ai dhe Osmani kanë bërë diçka që, sipas tij, politika kosovare nuk e ka parë prej shumë vitesh: vendosjen e interesit politik dhe institucional mbi ambicien personale.
“Pra, kemi bërë atë që askush në politikën kosovare s’e ka bërë qe sa vite – që nga politika kur politikani s’kërkon asgjë prej vetes”, u shpreh Abdixhiku.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur procesi për zgjedhjen e presidentit konsensual mbetet i lidhur ngushtë me sigurimin e votave të nevojshme në Kuvend dhe me negociatat mes forcave politike.