Kosova
KRIZA VAZHDON, BEHUNI GATI PER ZGJEDHJE TE REJA
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, paralajmëron se Kosova mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, duke e lidhur këtë skenar me mungesën e numrave të nevojshëm në Kuvend për të çuar përpara proceset politike, dhe se sipas tij, diskutimet e tjera rreth formimit të institucioneve kanë humbur rëndësinë përballë realitetit parlamentar.
Kreu i LDK-së foli edhe për qëndrimet e partive të tjera. Sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës po kërkon zgjedhje të reja, ndërsa Aleanca nuk ka arritur të pranojë kushtet e saj. Për LDK-në, Abdixhiku tha se hapësira për veprim është e kufizuar.
Ai gjithashtu u bëri thirrje partive që kërkojnë zgjedhje të përballen me qytetarët dhe të garojnë me kandidatët e tyre.
Abdixhiku tha se kishte propozuar një zgjidhje përmes një kandidati konsensual, me synim shmangien e krizës institucionale dhe paralajmëroi se, nëse vendi shkon në zgjedhje, përgjegjësia politike për këtë vendim do t’u mbetet atyre që po e kërkojnë këtë skenar.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur procesi politik në Kosovë vijon të jetë i bllokuar, ndërsa partitë politike nuk kanë arritur ende një marrëveshje për zhbllokimin e institucioneve.