Kronike
Atentat në Mirditë, ekzekutohet Viktor Bardhi, në 2023 i vranë vëllanë për hakmarrje
Të shtëna me armë zjarri janë raportuar në fshatin Ndërfushaz të Mirditës, ku sipas informacioneve paraprake ka mbetur i vrarë Viktor Bardhi.
Viktima është vëllai i Martin Bardhit, i cili u vra në vitin 2023 për motive hakmarrjeje.
Viktor Bardhi u qëllua për vdekje teksa në zonën e Munazit u gjet një automjet i djegur, që po verifikohet nga grupi hetimor për të parë nëse ka lidhje me autorët e krimit.
Viktori ishte vëllai i Martin Bardhit, i ekzekutuar në shtator të vitit 2023 në një lokal në qendër të Rrëshenit. Edhe pse motivi dhe autorët e vrasjes së Viktorit ende nuk janë përcaktuar zyrtarisht, historia e përplasjeve të mëparshme ka rikthyer pistën e hakmarrjes.
Një prej episodeve që lidhet me këtë histori është atentati ndaj Saimir Reçit në mars 2023. Sipas dosjes hetimore, Reçi deklaroi se ishte qëlluar në qendër të Rrëshenit dhe se mes personave që e sulmuan ndodhej edhe Martin Bardhi.
Bardhi u arrestua për këtë ngjarje, por disa muaj më vonë masa e sigurisë ndaj tij u ndryshua. Në shtator 2023, ai u ekzekutua me breshëri automatike, ndërsa bashkë me të u plagosën edhe tre persona.
Pas vrasjes së Martin Bardhit, hetuesit shqyrtuan edhe konfliktet e hershme mes familjeve Bardhi dhe Reçi, përfshirë vrasjen e Kastriot Reçit në vitin 2020. Kjo ngjarje, e cila mbetet e pazbardhur, është përmendur në materiale hetimore si një prej episodeve që mund të ketë ndikuar në përshkallëzimin e konflikteve.
Megjithatë, këto mbeten pista hetimore dhe nuk përbëjnë prova përfundimtare apo përgjegjësi të provuar nga gjykata.
Tashmë, me vrasjen e Viktor Bardhit, policia dhe Prokuroria po hetojnë nëse kemi të bëjmë me një episod të ri të hakmarrjes apo me një konflikt tjetër.
Autorët vijojnë të jenë të paidentifikuar, ndërsa hetuesit po mbledhin provat dhe po verifikojnë edhe automjetin e djegur të gjetur pas atentatit.
Një tjetër vrasje në Mirditë rikthen kështu në skenë një histori të gjatë konfliktesh, ndërsa mbetet për t’u zbardhur nëse ekzekutimi i Viktor Bardhit është kapitulli i radhës i kësaj sage kriminale.

P