Connect with us

Politike

Qeveria që s’përmirësohet, duhet të hapë krahun/ Për çfarë po i paralajmëron Rama ministrat dhe deputetët

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh të fortë për ministrat, deputetët dhe gjithë strukturën qeverisëse, duke pranuar publikisht se qeveria ka dështuar të jetë aty ku qytetarët kanë problemet e tyre konkrete.

Duke folur për “Pasqyrë Albania”, Rama tha se pushteti nuk duhet të fshihet pas propagandës, takimeve apo bilanceve që paraqesin një realitet më të bukur nga ai që përjetojnë qytetarët. Sipas tij, qeveria duhet të përballet me të metat e veta dhe të tregojë nëse është realisht e aftë të ndryshojë.

“Një shtet që nuk mban mend çfarë ka thënë dje, nuk kërkon dot besim sot. Pasqyrë Albania nuk është pasqyrë ku qeveria apo të treja pushtetet, në rast se futen në Pasqyrë, shfaqen bukur para qytetarit. Është një pasqyrë ku qytetari e sheh qeverinë siç është.”, tha ai.

Rama e ka bërë të qartë se problemi nuk zgjidhet duke ndryshuar mënyrën se si paraqitet qeveria, por duke ndryshuar vetë qeverisjen. Dhe këtu qëndron edhe paralajmërimi më i fortë për ata që mbajnë poste publike.

“Një qeveri që nuk i duket bukur qytetarit në pasqyrë, duhet të përballet me testin e aftësisë së vet dhe me sfidën që të përmirësojë pamjen e vet dhe jo pasqyrën. Çfarë ka bërë, çfarë nuk ka bërë akoma, çfarë po ndryshon dhe është në gjendje të japë përgjigje për çfarë pyetet, janë të gjitha barrë e pushtetit.”, theksoi kryeministri.

Ai lë të kuptohet se ata që nuk arrijnë të përmirësojnë performancën e tyre nuk mund të vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet vetëm përmes justifikimeve apo propagandës.

“Nëse pasqyra përdoret kundër qeverisë, funksionon. Qeveria nuk duhet të zihet me pasqyrën, por duhet të merret me veten. Nëse nuk është në gjendje të merret me veten, duhet të hapë krahun. Përndryshe nuk është pasqyrë, por billboard reklamash qeveritare.”, shtoi ai.

Në vend të takimeve të shumta, fotografive dhe daljeve publike, Rama kërkon një tjetër standard: të dëgjohet qytetari pikërisht aty ku ka hallin dhe më pas të ketë përgjegjësi për zgjidhjen e tij.

“Transparenca nuk mjafton, transparenca kërkon përgjegjësinë, dhe pa përgjegjësinë transparenca është kronikë. Prandaj arsyeja e pasqyrës është e pamjaftueshme pa arsyen e besës.”, tha Rama.

Në këtë kuadër, Rama prezanton edhe konceptin e “BESA”-s, të cilin e shpjegon si “besim, empati, shërbim dhe angazhim”. Por mesazhi politik është më i gjerë, pushteti nuk mund të kërkojë besimin e qytetarëve vetëm përmes fjalëve, nëse nuk është në gjendje t’u përgjigjet problemeve të tyre.

Kryeministri pranon kështu se një nga dobësitë e qeverisjes nuk ka qenë mungesa e takimeve, por distanca reale me problemet e qytetarëve.

“Problemi ynë s’ka qenë që ne nuk kemi ditur të bëjmë takime, madje ne kemi qenë aq shumë herë kudo në hartën e Shqipërisë për takime sa askush tjetër dhe do duhen vite që të tjerët t’i mbledhin të gjitha takimet që bëjnë për të arritur në një masë takimesh të përafërta me takimet që ne bëjmë në harkun e një viti.”, tha shefi i qeverisë.

Por Rama e pranon se gjithë kjo prani në terren nuk ka mjaftuar.

Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi i paralajmërimit për ministrat dhe deputetët nuk do të mund të maten më vetëm me numrin e takimeve, deklaratave apo daljeve publike, por me aftësinë për të dëgjuar, për t’u përgjigjur dhe për të zgjidhur problemet konkrete.

 

Advertisement