Rajon
Marshimi në përkrahje të ish krerëve të UÇK-së/ Vuçiç i shqetësuar
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi sot se është ‘shumë i shqetësuar’ për marshin e madh të planifikuar më 12 shtator në mbështetje të ish krerëve të UÇK, pak ditë para shpalljes së vendimit përfundimtar nga Gjykata e Hagës.
Gjatë një vizite në Qarkun e Banatit të Veriut, në Kikindë, Vuçiç tha se ndërkohë që Prishtina, sipas tij, po i bën presion Gjykatës, Serbia do të presë deri më 16 shtator për të reaguar
“Po paralajmërojnë dhunë dhe presion ndaj gjykatës nëse kjo nuk ndodh. Ne do të presim deri më 16 shtator, do të reagojmë dhe do të tregojmë gjithçka që ka bërë bashkësia ndërkombëtare ndërkohë. Fatkeqësisht, por edhe me një anë fat, do të kem mundësinë të flas për këtë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së”, deklaroi Vuçiç.
Gjykata Speciale në Hagë do të shpallë aktgjykimin përfundimtar ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit më 16 shtator 2026, në orën 10:00,
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që të katër të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili. Ndërkohë, në reagimin e tyre veteranët e kanë quajtur datën e aktgjykimit si “raundin e radhës të poshtërimit publik” ndaj krerëve të UÇK-së. Ata kanë paralajmëruar se nëse Gjykata Speciale merr një vendim dënues politik, përgjigja e tyre e prerë do të zhvendoset plotësisht në rrugë përmes protestave masive që nuk do të ndalen deri në arritjen e qëllimit