Connect with us

Kosova

‘Me ia dhënë plumbin në ballë’/ Arrestohet 57-vjeçari që kërcënoi me vdekje Albin Kurtin

Një 57-vjeçar është arrestuar në Prishtinë, pasi dyshohet se ka kërcënuar me vdekje kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përmes postimeve në rrjetin social Facebook. Sipas medias kosovare Sinjali, i arrestuari është Gazmend Halimi, ndërsa rasti po hetohet nga Prokuroria Speciale.

Sipas të njëjtit burim, rasti u evidentua më 2 shtator, pasi Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda mori informacione për disa postime të të dyshuarit.

Halimi dyshohet se kishte publikuar dy video me pamje të kryeministrit Kurti, të shoqëruara me mesazhe kërcënuese. Në njërën prej tyre, sipas raportimit, shkruhej: “Këti duhet me ia dhan plumin në ball”, ndërsa në tjetrën: “Ket tradhtar asht dasht me vra në kuvend”.

Rasti mori një tjetër drejtim pasi hetuesit kontaktuan të dyshuarin me telefon. Sipas Sinjalit, gjatë komunikimit ai dyshohet se kërcënoi edhe efektivët e Policisë që po merreshin me çështjen.

Në koordinim me Prokurorinë Speciale, hetuesit, të mbështetur edhe nga Njësia Speciale, arrestuan 57-vjeçarin. Ai u intervistua në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit kujdestar, u dërgua në ndalim për 48 orë.

Rasti po hetohet për veprën penale “Kanosje dhe dhunë ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”.

Advertisement