Politike
Berisha rikthehet në SHBA pas 14 vitesh, Zbardhet axhenda e vizitës
Sali Berisha do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës të premten, në një vizitë që pritet të zgjasë rreth shtatë ditë dhe që do të përfshijë një sërë aktivitetesh politike dhe takimesh me komunitetin shqiptar.
Në fokus të vizitës është pjesëmarrja në Konventën Kombëtare Republikane, e cila do të zhvillohet në Dallas më 9 dhe 10 shtator. Krahas këtij aktiviteti, kreu i Partisë Demokratike pritet të zhvillojë edhe dy takime me shqiptarët që jetojnë në SHBA.
Takimi i parë është parashikuar të zhvillohet në Nju Jork, të dielën më 6 shtator, ndërsa takimi i dytë do të mbahet të martën, më 8 shtator, në Texas.
Burime bëjnë me dije se gjatë qëndrimit në SHBA, Berisha pritet të zhvillojë edhe takime të tjera me kongresmenë dhe senatorë amerikanë. Megjithatë, këto kontakte nuk janë bërë ende zyrtare.
Në këtë vizitë, Berishën do ta shoqërojë një delegacion i Partisë Demokratike, pjesë e të cilit janë nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi, deputetët Albana Vokshi dhe Klevis Balliu, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, si dhe Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në PD, Enri Ceno.
Vizita shënon rikthimin e Sali Berishës në Shtetet e Bashkuara pas gati 14 vitesh. Herën e fundit që ai kishte udhëtuar përtej Atlantikut ishte në vitin 2012, kur mbante postin e kryeministrit të Shqipërisë.