Politike
IKËN RAMA, PO PASTAJ/ Përplasje e fortë në studio: A është PD gati të marrë pushtetin
Pedagogu Rezart Prifti dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, u përfshinë në një debat të fortë lidhur me gatishmërinë e PD-së për të marrë drejtimin e vendit në rast të një dorëheqjeje të kryeministrit Edi Rama.
Prifti ngriti si skenar hipotetik mundësinë që Rama të largohej nga detyra dhe pyeti se çfarë do të bënte opozita në një situatë të tillë.
Prifti kërkoi të dinte nëse PD-ja ka një ekip konkret dhe njerëzit e nevojshëm për të marrë përgjegjësinë e qeverisjes, duke përmendur sektorë të ndryshëm të shtetit, nga financat te bujqësia.
Hoxha iu përgjigj se një skenar i tillë nuk mund të trajtohet jashtë proceseve të brendshme të partisë, duke theksuar se PD-ja zhvillon gara dhe se ekipet qeverisëse përcaktohen në funksion të proceseve politike dhe zgjedhore.
Debati u tensionua kur Prifti këmbënguli se pyetja e tij synonte pikërisht të evidentonte nëse PD-ja është realisht e përgatitur për të marrë pushtetin.
“PD-ja nuk ka as ekipin, as njerëzit, as mendtë, as teza… Asgjë nuk ka”, deklaroi Prifti.
Hoxha e kundërshtoi këtë vlerësim, duke deklaruar se PD-ja disponon burime njerëzore të afta dhe se kritika ndaj mungesës së një ekipi nuk qëndron jashtë një procesi zgjedhor.
“Ka burime njerëzore nga më të mirat që ka pasur Shqipëria, por kjo retorikë nuk ka sens. Sa herë ka pasur gara, ka pasur ekip”, u shpreh Hoxha.
Përplasja nxori në pah një nga debatet e vazhdueshme brenda opozitës: a është Partia Demokratike e përgatitur jo vetëm për të kundërshtuar qeverinë, por edhe për të marrë menjëherë përgjegjësinë e qeverisjes?