Connect with us

Bota

Netanyahu: “Përmbysja e regjimit iranian është e arritshme”, Izraeli shpall objektivin në Teheran

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se përmbysja e regjimit iranian mbetet një nga objektivat kryesorë të Izraelit, duke argumentuar se Teherani ndodhet në një nga momentet më të dobëta të tij.

Gjatë një takimi me drejtues të lartë ushtarakë në Tel Aviv, Netanyahu deklaroi se udhëheqja iraniane po lufton për mbijetesën e saj.

“Ky regjim po lëkundet. Është më i dobët se kurrë”, tha kryeministri izraelit.

Netanyahu theksoi se rrëzimi i regjimit në Teheran nuk është më një objektiv i pamundur, por një skenar që, sipas tij, mund të realizohet.

“Jam i bindur se mund ta eliminojmë këtë kërcënim një herë e përgjithmonë, domethënë ta përmbysim këtë regjim”, deklaroi ai.

Kjo deklaratë vjen në një moment të tensionuar në Lindjen e Mesme, ndërsa përplasja mes Izraelit, Iranit dhe Shteteve të Bashkuara vazhdon të rrisë rrezikun e një përshkallëzimi më të gjerë rajonal.

Sipas Netanyahu-t, fakti që Izraeli nuk është goditur në valën e fundit të sulmeve iraniane tregon forcën e kapaciteteve të tij ushtarake dhe parandaluese.

“Ata e njohin fuqinë tonë, forcën e armëve tona dhe vendosmërinë tonë”, u shpreh ai.

Kryeministri izraelit u dërgoi gjithashtu një paralajmërim kundërshtarëve të Izraelit, duke theksuar se vendi i tij është i gatshëm të përballet me çdo kërcënim.

Qëndrimi për ndryshimin e regjimit iranian nuk është i ri për Netanyahu-n. Një ditë më herët, në një intervistë për i24NEWS, ai kishte deklaruar se Izraeli po punon për mposhtjen dhe rrëzimin e regjimit në Teheran.

Deklaratat e fundit e bëjnë tashmë të qartë se ndryshimi i regjimit në Iran po vendoset hapur në qendër të objektivave politike dhe ushtarake të Izraelit.

Nëse ky objektiv do të kthehet në një përpjekje konkrete për të rrëzuar udhëheqjen iraniane, pasojat mund të jenë të jashtëzakonshme për gjithë Lindjen e Mesme.

Advertisement