Connect with us

Aktualitet

5 të arrestuar, 6 në kërkim/ Policia zbulon dinamikën e konfliktit mes biznesmenëve në Radhimë

Pesë persona janë arrestuar dhe gjashtë të tjerë janë shpallur në kërkim pas konfliktit të armatosur të regjistruar mesditën e së enjtes në Radhimë të Vlorës. Policia ka sekuestruar një armë zjarri, 16 fishekë luftarakë, ndërsa në disa prej automjeteve të përfshira janë konstatuar dëmtime që dyshohet se janë shkaktuar nga të shtënat.

Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ka nisur në një hotel në Radhimë, në pronësi të biznesmenit Vasil Bedinaj, ku një grup personash dyshohet se ka shkuar për t’i kërkuar një shumë prej 5 milionë eurosh. Sipas Policisë, Bedinaj është dhunuar dhe kërcënuar me armë, ndërsa autorët i kanë lënë afat 48 orë për t’u larguar nga Shqipëria.

Pas marrjes së njoftimit rreth orës 11:30, Policia ngriti pika kontrolli në hyrje-daljet e Vlorës, në Dhërmi, si dhe në qarqet Fier e Gjirokastër.

Rreth orës 12:00, në pikën e kontrollit në Rrethin e Alikokës, një Range Rover nuk iu bind urdhrit për të ndaluar dhe vijoi në drejtim të Peshkëpisë. Gjatë ndjekjes, automjeti doli nga rruga dhe u përplas me barrierat mbrojtëse pranë Urës së Peshkëpisë.

Në automjet ndodheshin Luan Muça, 55 vjeç, drejtues, si dhe vëllezërit Klaudio Lleshaj, 29 vjeç, dhe Mandrit Lleshaj, 33 vjeç, të dy punonjës të SH.P.S.F. “Sëat Security”. Muça dhe Mandrit Lleshaj mbetën të dëmtuar dhe u transportuan në Spitalin Rajonal të Vlorës, jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti një pistoletë dhe një krehër me 16 fishekë luftarakë.

Ndërkohë, rreth orës 13:00, në një tjetër pikë kontrolli në Fier u ndalua një automjet i dyshuar, me drejtues shtetasin kosovar Blerim Heta, 40 vjeç. Automjeti kishte dëmtime në xhamin e pasagjerit, që dyshohet se janë shkaktuar nga arma e zjarrit. Brenda tij u gjetën edhe tre fishekë pistolete.

Një tjetër automjet, tip Audi A8, u gjet rreth orës 16:30 duke u djegur në bypass-in e Vlorës, pranë fshatit Kaninë. Policia dyshon se automjeti është përdorur gjatë ngjarjes.

Mori armën e Bedinajt dhe qëlloi drejt automjeteve

Një prej elementeve kryesore të zbardhura nga hetimi është se Angjelo Breshani, 29 vjeç, dyshohet se ka marrë armën e zjarrit që Vasil Bedinaj e posedonte me leje dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të personave që ndodheshin në vendngjarje.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Policia arrestoi:

  • Luan Muçën, 55 vjeç, banues në Tiranë;
  • Klaudio Lleshajn, 29 vjeç, banues në Tiranë;
  • Mandrit Lleshajn, 33 vjeç, banues në Tiranë;
  • Blerim Hetën, 40 vjeç, shtetas kosovar;
  • Angjelo Breshanin, 29 vjeç, banues në Vlorë.

Ndërkohë, gjashtë persona të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa vijon puna për identifikimin dhe kapjen e tyre. Në kërkim janë edhe katër automjete që dyshohet se janë përdorur në ngjarje.

Policia dhe Prokuroria e Vlorës vijojnë hetimet për të dokumentuar të gjitha rrethanat e konfliktit, ndërsa materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Advertisement