Connect with us

Politike

1413 ditë në pushtet, Meloni shkruan historinë por sfidohet nga Rama: Tani thyej rekordin tim

Kryeministri Edi Rama ka uruar homologen e tij italiane, Giorgia Meloni, për rekordin e vendosur si kryeministrja me qëndrimin më të gjatë në detyrë në historinë e Republikës Italiane.

Në mesazhin e tij, Rama iu drejtua Melonit në mënyrë personale, duke kujtuar se në të kaluarën Qeveritë italiane ndryshonin shpesh dhe duke vënë në dukje se, pavarësisht parashikimeve për një krizë demokratike pas ardhjes së saj në pushtet, demokracia italiane nuk është vënë në rrezik.

Rama përmendi edhe shqetësimet që ekzistonin në Evropë në momentin e ardhjes së Melonit në Palazzo Chigi, duke kujtuar se edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kishte shprehur rezerva.

Sipas Ramës, zhvillimet kanë treguar një tjetër panoramë. Ai vlerësoi afrimin e Melonit me Evropën dhe rolin e saj në çështje si siguria dhe emigracioni i paligjshëm.

Megjithatë, në mënyrë ironike, Rama tha se gjatë kësaj periudhe ka pasur një “deficit të madh demokratik” në Itali, duke iu referuar faktit se politika italiane është dominuar gjithnjë e më shumë nga gratë.

“Ju hoqët burrat nga lufta për pushtet, e cila tani është kthyer në një çështje mes grave. Ekskluzivisht mes grave”, shprehet Rama në urimin e tij.

Kryeministri shqiptar e lidhi këtë zhvillim edhe me rekordin e tij personal, duke i kujtuar Melonit se tashmë ajo ka një tjetër rekord për të synuar: rekordin e tij në qëndrimin në pushtet.

Në fund të mesazhit, Rama iu referua edhe Gjermanisë, ku një tjetër grua politikane ka qëndruar në pushtet për një periudhë më të gjatë, ndërsa e mbylli urimin me një mesazh simbolik: “Rroftë Italia, rrofshin gratë. Italiane dhe shqiptare”.

Advertisement