Kosova
RADOIÇIÇ ZHDUKET NGA PUBLIKU, SHFAQET NË KADASTËR/ 5 PARCELA PRANË KOSOVËS
Milan Radoiçiç nuk është parë publikisht prej sulmit të armatosur në Banjskë, por emri i tij është shfaqur sërish aty ku ndoshta pritej më pak: në regjistrat e pronësisë në Serbi.
Sipas të dhënave të publikuara nga media serbe Nova.rs, ish-nënkryetari i Listës Serbe është bërë së fundmi pronar i pesë parcelave në Novi Pazar, me një sipërfaqe totale prej 37 319 metrash katrorë, afro 4 hektarë tokë.
Pronat ndodhen në zonën kadastrale Kashal, në një rajon jo larg kufirit me Kosovën.
Por një detaj e bën çështjen edhe më të fortë.
Në njërën prej parcelave, Radoiçiç rezulton bashkëpronar me Sinisha Nedeljkoviç, biznesmen nga Zveçani që ndodhet në listën amerikane të sanksioneve për lidhjet e tij me rrjetin e Zvonko Veselinoviçit.
Edhe vetë Radoiçiç është prej vitit 2021 në listën e personave të sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Thesarit.
Pas ngjarjes së Banjskës në shtator 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, Radoiçiç mori përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur. Më pas ai u tërhoq nga funksionet politike dhe nga disa prej bizneseve me të cilat ishte lidhur publikisht.
Madje, prona të tij luksoze në Beograd kaluan në emër të bashkëshortes.
Tre vjet më vonë, emri i tij rikthehet sërish në kadastër.
Në Serbi vijon formalisht hetimi për çështjen e Banjskës, ndërsa në Kosovë Radoiçiç përfshihet në aktakuzë si një prej drejtuesve të grupit të akuzuar për sulmin.
Dhe pikërisht këtu lind pyetja:
Si mundet që një person nën sanksione amerikane dhe nën hetim për një prej ngjarjeve më të rënda të sigurisë në rajon të vazhdojë të zgjerojë publikisht pronësinë e tij?