Connect with us

Politike

Berisha niset drejt SHBA: Amerika do të mbështesë çlirimin e Shqipërisë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është nisur këtë të premte drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku pritet të zhvillojë takime me politikanë amerikanë dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar.

Pak para nisjes nga aeroporti i Rinasit, Berisha e cilësoi këtë udhëtim si “udhëtimin e viteve” për Shqipërinë, duke e lidhur vizitën me atë që ai e konsideron si përpjekje për ndryshimin politik në vend.

“Ky është udhëtimi i viteve për Shqipërinë. Nisem për në SHBA me atë bindje si në mars të vitit 1991, se vendi i madh i lirisë do të mbështesë Shqipërinë dhe shqiptarët në përpjekjet e tyre për t’u çliruar nga diktatura autoritare e bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi gjithashtu se udhëtimi nuk duhet parë në plan personal, ndërsa tha se në Shtetet e Bashkuara do të takohet me miqtë e tij.

“Prania juaj këtu dëshmon se ky është udhëtimi i viteve për Shqipërinë. Në rrafshin tim, unë shkoj dhe takoj miqtë e mi, u them: ‘Unë erdha’”, u shpreh kreu i PD-së nga Rinasit.

Vizita vjen pas një periudhe disa-vjeçare gjatë së cilës Berishës i ishte ndaluar hyrja në territorin amerikan. Më herët, kreu i PD-së kishte bërë të ditur se ishte informuar zyrtarisht për mundësinë e udhëtimit drejt SHBA-së.

Gjatë qëndrimit në Amerikë, Berisha pritet të marrë pjesë edhe në aktivitete me komunitetin shqiptar, ndërsa në axhendën e tij janë parashikuar takime politike. Vizita shihet si një zhvillim i rëndësishëm për kreun e opozitës, pas viteve të përplasjes me autoritetet amerikane.

Advertisement