Politike
Meta nga qelia: Ja gjithë pabesitë e ‘Akrepit’ Rama, përgjigjen do e marrë nga populli i shqiponjave
Ish-presidenti dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama dhe platformës së re “Besa”, të prezantuar prej tij në prag të nisjes së sezonit të ri parlamentar.
Duke iu referuar alegorisë së njohur të akrepit dhe bretkosës, Meta e akuzon Ramën për “pabesi” dhe për premtime të pambajtura ndër vite.
“Ta fajësosh Ramën për përdhosjen e fjalës së shenjtë shqiptare Besa, është njësoj si të fajësosh Akrepin përse u jep ‘besën’ bretkosave që ta kalojnë në anën tjetër të lumit”, shprehet Meta.
Sipas tij, Rama duhet të përballet me përgjegjësinë politike për problematikat që, sipas Metës, janë akumuluar gjatë viteve të qeverisjes.
Meta e kritikon kryeministrin për mënyrën e menaxhimit të situatës me zjarret, duke pretenduar se strukturat zjarrfikëse kanë mungesë mjetesh dhe se pagat e punonjësve mbeten të ulëta.
Ai akuzon gjithashtu qeverinë për prioritetet në investime, duke përmendur shpenzimet për projekte të ndryshme, ndërsa sipas tij nuk janë investuar mjaftueshëm në mbrojtjen e pyjeve, flotën zjarrfikëse dhe pajisjet e emergjencave.
Në deklaratën e tij, Meta rikthen në vëmendje edhe disa prej premtimeve të hershme të Ramës, duke përmendur ujin e pijshëm në Tiranë, legalizimet, heqjen e TVSH-së për disa produkte, subvencionet për fermerët, udhëtimet me “economy class” dhe shëndetësinë falas.
Sipas Metës, një pjesë e këtyre premtimeve nuk janë realizuar në formën e premtuar.
“Dihet që e mbajti fjalën për shëndetësinë falas, por vetëm derisa hyn te dera e spitalit”, shprehet ai, duke ironizuar politikën e qeverisë.
Meta kritikon edhe investimet në arsim, duke pretenduar se shpenzimet publike për këtë sektor mbeten nën objektivin e premtuar.
Në fund, ish-presidenti e lidh të gjithë kritikën e tij me zgjedhjet dhe qytetarët, duke paralajmëruar se, sipas tij, Rama do të përballet me përgjigjen e votuesve.
“Fajin e keni ju që më besuat se fundi im dihet”, është fraza e alegorisë së akrepit që Meta përdor për të përshkruar qëndrimin e tij ndaj kryeministrit.
Sipas tij, këtë herë nuk bëhet fjalë për “bretkosa” apo “lepuj”, por për “shqiponja”, duke iu referuar qytetarëve shqiptarë.
E PLOTE
Përgjigje: Të fajësosh Ramën për përdhosjen e fjalës së shenjtë shqiptare Besa, është njësoj si të fajësosh Akrepin përse u jep “besën” bretkosave që ta kalojnë në anën tjetër të lumit meqenëse Akrepi nuk di të notojë. Dhe sa herë bretkosat i thonë me mosbesim se ato kanë frikë se ai mund t’i helmojë, Akrepi u jep besën me argumentin se po qe se unë do ju helmoj juve do mbytem edhe vetë pasi nuk di not.
Dhe sa herë që bretkosat e besojnë se Akrepi nuk ka interes të mbytet edhe vetë dhe e pësojnë prej tij, fjalët e fundit të tyre drejtuar Akrepit janë: “Mirë neve që na mbyte dhe na preve në besë, por ti tani do mbytesh edhe vetë”.
Akrepi u përgjigjet: “E di që edhe unë do mbytem, por unë Akrep jam dhe nuk ndryshoj dot. Fajin e keni ju që më besuat se fundi im dihet.”
Ndaj nuk mund të fajësohet më Rama se përse është Akrep, sepse kjo është natyra e tij e pabesë deri në fundin e tij të pashmangshëm.
Por tani është koha për t’i treguar Akrepit se nuk ka të bëjë as me “bretkosa” dhe as me “lepuj” por me shqiponja.
I shteruar në ide, i zbuluar nga skandalet që i mbivendosen çdo ditë, ai i fshihet përgjegjësisë dhe llogaridhënies duke vrapuar nga Plenumi i Kuçit, ku ndëshkoi kryebashkiakët e rebeluar ndaj pabeseisë së tij, në freskun e Pogradecit ku shkriu në një të vetme Qeverinë me partinë dhe Kuvendin
për të garantuar “praninë besnike» pas 14 viteve në qeverisje.
Ndërkohë që në vend të Kuçit duhet të ishte në Krujën që u dogj një javë të tërë, në vend të Pogradecit duhet të ishte në Pukë, Lurë e kudo ku zjarrfikësit me 500 euro pagë në muaj e pa mjete mbrojtëse u lanë të vetëm.
Përveçse falë “besës” që u kishte dhënë ky një vit me parë nuk kishin marrë as shpërblimin e premtuar.
Se për avionët e premtuar prej vitesh që do ishin funksionalë as që bëhet fjalë.
Kësaj i thonë Shqipëria digjet, Kryeministri freskohet sa nga Pogradeci në Kuç e Dhërmi apo Surrel.
Dhe tani Bashkisë së Pukës që ka një zjarrfikëse që nga koha e dhuratave nga Kina në vitet ‘60-‘70, kërkon t’i kalojë përgjegjësinë për të mbrojtur nga zjarret edhe pyjet e pafundme të Bashkisë Fushë-Arrëz.
Ndërkohë makina zjarrfikëse e Pukës kishte ardhur të fikte zjarrët e Krujës por ngaqë ajo harxhon më shumë naftë se sa mban ujë, nuk mund të bënte më shumë!
Ndërkohë KESH do të miratojë edhe 20 milion euro të tjera
këtë vit për “qejfin” e dy tigrave rrangallë të Bangladeshit në Vlorë që ndotin edhe Pulian dhe jo vetëm gjirin e Vlorës.
Dhjetra e qindra milionë euro për të vjedhur ka, por jo për të rinovuar flotën e zjarrfikësve, për të blerë veshje kundër zjarrit, për të rritur pagat e tyre.
Sepse prioritet është betonizimi dhe jo pyllëzimi dhe mbrojtja e mjedisit.
Degradimi i strukturave shtetërore që merreshin me mbrojtjen e pyjeve këtu do të na sillte.
Po kështu, si degradimi i strukturave shtetërore që merreshin me bujqësinë, me administrimin e kanaleve vaditëse e kulluese, hidrovoreve, etj.
Ky u dha besën dikur socialistëve se do legalizonte fraksionet dhe përjashtoi dhjetëra e qindra personalitete nga PS ose i detyroi të heshtnin me shantazhe dhe korrupsion.
Ky u dha besën shqiptarëve se kur të bëhej Kryeministër do udhëtonte vetëm në “economy class” dhe për vite të tëra shmang Komisionin Hetimor Parlamentar për shpenzimet marramendëse me avion personal që falimentoi edhe kompaninë në fjalë “Air Albania”.
Pastaj dihet si e mbajti besën për legalizimet para urbanizimit.
Po kështu, për ujin në Tiranë, me cilësi Korçe dhe çmim Bathoreje, që do garantonte ky vetë personalisht brenda mandatit të parë, e kështu me mbetjet e plot «arritje» të tjera.
Ah, harrova premtimin e tij për heqjen e TVSH 20% për produktet e importit, subvencionet e naftës për fermerët e plot besëprerje të tjera.
Dihet që e mbajti fjalën për shëndetësinë falas, por vetëm derisa hyn te dera e spitalit.
Vërtet se mbajti dot besën që shpenzimet për arsimin të ishin 5% e PBB, por vetëm 2,4%, por jemi të paret për
analfabetizimin funksional.