Connect with us

Politike

“Nuk na duhet vetoja”! Rama zbulon skenarin për integrimin e Shqipërisë në BE

Kryeministri Edi Rama insiston për një model të ri të zgjerimit të Bashkimit Europian, përmes integrimit gradual të vendeve kandidate, pa pritur anëtarësimin e plotë. Nga Forumi i Cernobbios në Itali, Rama tha se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mund të bëhen pjesë e tregut të përbashkët, universiteteve dhe programeve europiane, edhe pa marrë menjëherë të drejtën e vetos.

“Integrimi gradual është mënyra e vetme për të na futur brenda dhe për ta nisur nga pjesa reale: tregu i përbashkët, të qenit pjesë e Europës së universiteteve, shkëmbimeve, të të gjithë elementëve shumë të rëndësishëm, para se të mendojmë për pjesën tjetër”, tha Rama.

Rama tha se nuk beson se vendet e BE-së do të jenë të gatshme që Shqipërinë ta pranojnë si anëtare me të gjitha kompetencat, përfshirë veton.

“Nuk besoj se 2027-a do të na presë lumturisht me kompetencën tonë të vetos. Nuk besoj se disa kryeqytete do të kenë aftësinë t’i thonë publikut: ‘Do ta marrim Shqipërinë me kompetencën e vetos’. Nuk na duhet kompetenca e vetos për t’u ulur rreth tryezës. Imagjinoni të kesh edhe 7 të marrë të tjerë të ulur rreth asaj tryeze. Do të ishte më mirë për Europën dhe për ne”, vijoi Rama.

Advertisement