Aktualitet
Binaj sfidon politikën: Me ose pa opozitën, do të kandidoj në Tiranë
Aktori Florjan Binaj ka folur hapur për angazhimin e tij politik dhe mundësinë e kandidimit në zgjedhjet e ardhshme për Bashkinë e Tiranës.
I pyetur nëse do të jetë kandidat i pavarur dhe do ta zhvillojë i vetëm garën, ndërsa në skenarin më të mirë mund të jetë pjesë e një fronti të përbashkët opozitar, Binaj është përgjigjur shkurt: “Po”.
Duke folur për Euronews Albania, Binaj tha se vendimi i tij lidhet me bindjen se angazhimi qytetar dhe politik është një mënyrë për të dhënë kontribut konkret në përmirësimin e shoqërisë.
Ai theksoi se ndryshimi nuk mund të vijë vetëm përmes rrjeteve sociale, postimeve apo reagimeve virtuale, por kërkon përfshirje dhe veprim konkret.
“Kushdo që mendon që ‘enough is enough’, kushdo që mendon që ky qytet mund të përmirësohet, ashtu si çdo qytet, dhe mund të përmirësohet jo nëpërmjet algoritmit, jo nëpërmjet like-ave, jo nëpërmjet komenteve dhe postimeve”, u shpreh Binaj.
Aktori ka lënë të kuptohet qartë se mbështetja e opozitës nuk është kusht për përfshirjen e tij në garë. Sipas qëndrimit të bërë publik, Binaj synon të jetë një nga kandidatët për Bashkinë e Tiranës, duke e hapur kështu mundësinë e një gare të re politike për kryeqytetin.
Kandidimi i tij pritet të marrë një tjetër dimension nëse opozita do të vendosë ta përfshijë në një front të përbashkët, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ai do të garojë si kandidat i pavarur apo nën një mbështetje të përbashkët opozitare.