Rajon
Funerali i “Kasapit të Ballkanit” përçan Serbinë/ Beogradi përballë presionit të Europës
Trupi i ish-komandantit të Ushtrisë së Serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, i cili u nda nga jeta javën e kaluar në Hagë, ku po vuante një dënim me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera lufte në Bosnje dhe Hercegovinë, është kthyer në Serbi.
I mbështjellë me flamurin serb, arkivoli i Mladiqit u transportua nga anëtarët e Forcave të Armatosura Serbe nga avioni në një automjet që e çoi trupin e tij në Akademinë Ushtarako-Mjekësore për autopsi
Disa grupe qytetarësh u mblodhën përgjatë rrugës nga aeroporti deri në spital. Duke qëndruar në mbikalime, ata përshëndetën autokolonën që transportonte trupin e Mladiqit, duke mbajtur pankarta me mbishkrimet “Faleminderit, Gjeneral” dhe “Heronjtë nuk vdesin kurrë”.
Tabloidët proqeveritarë raportuan minutë pas minute për ngjarjen, duke iu referuar Mladiqit si një “gjeneral serb” dhe duke pretenduar se ai ishte “vrarë në Hagë”.
Një funeral me nderime të plota shtetërore?
Ratko Mladiç u dënua në vitin 2017 me burgim të përjetshëmnga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë për gjenocidin në Srebrenicë, ku u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem myslimanë, për rrethimin shumëvjeçar të Sarajevës gjatë Luftës së Bosnjës (1992-1995), si dhe për krime të tjera lufte, përfshirë ngritjen e kampeve të ndalimit për civilë joserbë dhe robër lufte.
Mediat e Beogradit raportojnë se Mladiqi do të varroset të hënën (07.09.2026) në Beograd. Ministri i Drejtësisë, Nenad Vujiq, kishte njoftuar më parë se funerali do të zhvillohej me nderimet më të larta shtetërore.
Megjithatë,presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se vendimi do t’i lihet familjes.
Agjencitë e sigurisë vlerësojnë se dhjetëra mijëra njerëz mund të marrin pjesë në funeral.
“Ne do të jemi aty për të ofruar çdo lloj mbështetjeje logjistike dhe transporti, si dhe për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike”, tha presidenti, duke shtuar: “Është shumë e vështirë të sigurohet dhe garantohet siguria e të gjithëve.”
Glorifikimi që ka vazhduar për dekada
Për Jasmina Lazoviq, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për të Drejtën Humanitare në Beograd, e cila prej dekadash merret me drejtësinë dhe përballjen me të kaluarën, asgjë nga kjo nuk është befasi.
Ajo thekson glorifikimin afatgjatë të Ratko Mladiqit në Serbi dhe trashëgiminë e tij. “Nuk ka asnjë qytet të vogël në Serbi pa të paktën një mural që vlerëson Ratko Mladiqin. Narrativa se ai u dënua padrejtësisht ekziston prej vitesh”, tha ajo për DW. “Tani ka lindur edhe narrativa se ai u vra, megjithëse ai vdiq në moshën 85-vjeçare pasi kishte pësuar disa goditje në tru.”
Sipas Lazoviçit, këto narrativa përputhen me paraqitjen që udhëheqja shtetërore i bën Serbisë si një vend që ka zhvilluar vetëm luftëra mbrojtëse dhe nuk lënë hapësirë të mjaftueshme për diskutimin e pasojave të këtyre luftërave dhe viktimave që ato lanë pas, as në media dhe as në sistemin arsimor e institucionet.
“Dhe ka qindra mijëra viktima në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë. Mbi të gjitha, këto ishin krime të kryera kundër civilëve, krime që i lanë vendet e rajonit, veçanërisht Bosnjën dhe Hercegovinën, me një strukturë etnike krejtësisht të transformuar”, tha ajo.
Lazoviç shton se lista e viktimave përfshin gjithashtu të mbijetuarit e përdhunimeve dhe torturave, si dhe ata që u dëbuan me forcë. “Lista është e gjatë dhe njohuritë tona janë të kufizuara”, shtoi ajo.
Një gjeneral pa gradë
Njoftimi se Mladiq mund të varroset me nderimet më të larta shtetërore shkaktoi reagime të menjëhershme nga komuniteti ndërkombëtar. “Glorifikimi i kriminelëve të luftës është në kundërshtim me vlerat evropiane. Nuk ka vend për këtë as në shtetet anëtare të BE-së dhe as në vendet kandidate. Shpresoj që qeveria në Beograd ta ketë të qartë këtë”, tha Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.
Aleksandar Vuçiç u përgjigj duke akuzuar Perëndimin dhe Tribunalin e Hagës se kanë fajësuar vetëm serbët për krimet e luftës dhe se nuk kanë sjellë drejtësi për viktimat serbe. Megjithatë, ai zyrtarisht ia ka lënë familjes së Mladiçit vendimin nëse gjenerali i ndjerë do të marrë nderime shtetërore.
Jasmina Lazoviç beson se Vuçiç do të ndjekë edhe një herë një qasje pragmatike dhe se vendimi përfundimtar do të varet nga vlerësimi se çfarë i sjell më shumë përfitim politik pushtetit dhe çfarë mund të shkaktojë më shumë dëm.
Ajo thekson gjithashtu se çështja nuk është vetëm politike, por edhe juridike.
“Ajo që po anashkalohet këtu është fakti se Ratko Mladiq ishte vërtet gjeneral, por ai u dënua me burgim të përjetshëm. Sipas Ligjit për Forcat e Armatosura të Serbisë, kushdo që dënohet me më shumë se një vit burg për një vepër penale humbet gradën e tij dhe, rrjedhimisht, të gjitha privilegjet që lidhen me atë gradë”, tha ajo.
“Nëse Ratko Mladiq do të varrosej me nderimet më të larta shtetërore në përputhje me gradën që mbante gjatë konflikteve të armatosura, kjo do të ishte një shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit të këtij vendi.”
Çfarë duan serbët?
Kur u pyetën se si e shohin Ratko Mladiqin, qytetarët serbë të intervistuar nga DW në disa qytete të krahinës autonome multietnike të Vojvodinës shprehën mendime thellësisht të ndryshme, nga ata që besojnë se Mladiq u dënua padrejtësisht deri tek ata që e pranojnë pa rezerva pë
“Çfarë duhej të bënte ai, t’i linte të vrisnin të gjithë serbët? Faleminderit, Mladiq, për gjithçka”, tha një burrë nga Ruma për DW.
“Për mua, çështja u mbyll kur u dha vendimi për gjenocid”, tha një student nga Novi Sadi.
Por shumica e njerëzve thjesht i shmangen pyetjes.
“Kam mjaft probleme të miat”, tha Svetlana nga Zrenjanini.
Gorani nga Novi Sadi beson se kjo është thjesht një çështje tjetër politike. “Na kanë mashtruar prej vitesh. Asgjë nuk ka ndryshuar tani”, tha ai për DW.
Lazoviç beson se shumica e serbëve janë indiferentë ndaj kësaj çështjeje.
Sipas saj, ky është një problem më i madh sesa thjesht fakti që mediat proqeveritare e paraqesin Serbinë si një vend që dëshiron t’i japë lamtumirën Mladiçit si gjeneral. Ajo argumenton se përballja me trashëgiminë e Mladiqit dhe me të kaluarën është thelbësore nëse shoqëria serbe dëshiron të ecë përpara./DW