Connect with us

Aktualitet

Punojmë shumë, prodhojmë pak?/ Shqipëria e fundit në rajon, vetëm 18.7 $ për orë

Shqipëria vazhdon të punojë shumë, por ekonomia shqiptare prodhon dukshëm më pak vlerë për çdo orë pune sesa vendet e tjera të rajonit.

Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) të cituara nga Monitor, produktiviteti i punës në Shqipëri ra gjatë vitit 2025 në 18.7 dollarë ndërkombëtarë për çdo orë pune, rreth 4.1% më pak se një vit më parë.

Shifrat bëhen edhe më domethënëse kur Shqipëria krahasohet me fqinjët.

Në Bosnjë-Hercegovinë produktiviteti llogaritet 26.3 dollarë për orë, në Serbi 29.8 dollarë, në Mal të Zi 31.1 dollarë, ndërsa Maqedonia e Veriut arrin në 34 dollarë për orë. Shqipëria rezulton e fundit mes vendeve të rajonit të krahasuara në këto të dhëna.

Pra, një orë pune në Maqedoninë e Veriut prodhon pothuajse dyfishin e vlerës ekonomike që prodhon një orë pune në Shqipëri.

Por kjo nuk do të thotë se shqiptarët “punojnë më pak”.

Produktiviteti mat sa vlerë prodhon ekonomia për një orë pune dhe ndikohet nga teknologjia që përdorin bizneset, investimet në makineri, aftësitë e punonjësve, infrastruktura, menaxhimi, informaliteti dhe sektorët ku është përqendruar ekonomia. Vetë ILO e konsideron produktivitetin një tregues të lidhur drejtpërdrejt me rritjen ekonomike, konkurrueshmërinë dhe standardin e jetesës.

Kjo nxjerr në pah një nga paradokset e ekonomisë shqiptare: orë të gjata pune dhe paga relativisht të ulëta, por edhe produktivitet shumë të dobët.

Nëse një ekonomi mbështetet kryesisht te puna me kosto të ulët dhe jo te teknologjia, kapitali, inovacioni dhe profesionet me vlerë të shtuar, është e vështirë që edhe pagat të rriten në mënyrë të qëndrueshme.

Dhe këtu lind pyetja që duhet bërë:

Nëse shqiptarët punojnë, pse një orë pune në Shqipëri prodhon vetëm 18.7 dollarë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut prodhon 34?

Problemi nuk është vetëm sa punojmë.

Problemi është çfarë ekonomie kemi ndërtuar për punën tonë.

 

Advertisement