Connect with us

Kosova

Alarm për fondet e BE-së/ Kosova rrezikon të humbë 166 milionë euro nga Plani i Rritjes

Kosova rrezikon të humbë 166 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, nëse vendi vazhdon të mbetet pa institucione të formuara dhe funksionale. 

“Ajo çka po ndodh dy vitet e fundit ka të bëjë me rrënim të kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe procesit demokratik në Republikën e Kosovës. Edhe duke mos pasur institucione stabël, legjitime dhe legale, Kosova ka humbur shumë dhe do të humbet edhe më shumë në rast se vazhdon një situatë e tillë. Veçanërisht tek plani i rritjes i Bashkimit Evropian, fondet të cilat një pjesë e tyre janë donacione, dhuratë për Kosovën, që Kosova fatmirësisht i ka marrë për arsye që e konstituoi Kuvendin në vitin 2025 për aq sa jetoi ajo legjislaturë, 61 milionë euro, në ndërkohë ne rrezikojmë që të mos i marrim një pjesë tjetër ose me vështirësi t’i marrim në një periudhë tjetër të mëvonshme, një pjesë tjetër të madhe të të parave”, tha eksperti në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, në një intervistë.

Vetëm deri në fund të qershorit Kosova ka humbur më shumë se 50 milionë euro, ndërsa rreziku për humbje të fondeve vazhdon edhe gjatë pjesës së mbetur të vitit.

Jakaj thotë se nëse Kuvendi dhe qeveria arrijnë të funksionalizohen dhe të miratojnë masat e kërkuara brenda afatit, Kosova mund të përfitojë nga fondet e parapara.

Megjithatë, ai ka paralajmëruar se koha në dispozicion do të ishte shumë e shkurtër dhe se institucionet do të duhej të punonin me intensitet të jashtëzakonshëm për të përmbushur kushtet e kërkuara nga Plani i Rritjes.

Kuvendi i Kosovës më 13 shkurt 2026 miratoi marrëveshjet ndërkombëtare me Bashkimin Evropian, të njohur si Plani i Rritjes, e që parashikojnë përfitime prej më shumë se 880 milionë eurosh për Kosovën.

Siç ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati, ky plan vjen me 1/3 si grant dhe 629 milionë euro në formë kredie.

Advertisement