✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

Blloqet e luftës Greqi-Turqi-Izrael/ Në lojën e re gjeopolitike,’Mburoja e Akilit’ mund të jetë vetëm fillimi

Greqia dhe Izraeli kanë nënshkruar një marrëveshje historike në fushën e mbrojtjes, me vlerë 3.5 miliardë dollarë, për krijimin e një rrjeti të integruar të mbrojtjes ajrore dhe kundërraketore.

Projekti, i pagëzuar “Mburoja e Akilit”, do të bashkojë sistemet izraelite David’s Sling, Spyder dhe Barak, radarë shumëfunksionalë, si dhe sisteme Drone Dome kundër kërcënimit nga dronët.

Marrëveshja vjen në një moment të tensionuar për Mesdheun Lindor dhe nuk shihet vetëm si një bashkëpunim teknik në fushën e mbrojtjes.

Në sfond qëndrojnë kërcënimi iranian dhe rivaliteti Greqi–Turqi.

Sulmet me dronë dhe raketa në rajon kanë shtuar shqetësimet e Athinës për sigurinë e territorit dhe infrastrukturës strategjike. Goditja e një droni iranian në Qipro ka rritur më tej vëmendjen e Greqisë ndaj mbrojtjes kundër mjeteve pa pilot.

Izraeli, ndërkohë, po shfrytëzon përvojën e tij ushtarake dhe teknologjinë e mbrojtjes ajrore për të zgjeruar partneritetet strategjike.

Por zhvillimi më i rëndësishëm lidhet me ndryshimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe Turqisë.

Dikur aleatë të rëndësishëm në fushën e sigurisë, Ankara dhe Tel Avivi janë përplasur gjithnjë e më shumë për shkak të luftës në Gaza dhe politikës së presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan.

Ndërsa marrëdhëniet Izrael–Turqi janë përkeqësuar, Greqia dhe Izraeli kanë afruar pozicionet.

Së bashku me Qipron, dy vendet po ndërtojnë një arkitekturë të re bashkëpunimi në Mesdheun Lindor, ku siguria, energjia dhe kontrolli i infrastrukturës strategjike po bëhen gjithnjë e më të lidhura.

Kjo marrëveshje shkon përtej një kontrate armësh.

Ajo është një sinjal për ndryshimin e ekuilibrave gjeopolitikë në Mesdheun Lindor, në një kohë kur rajoni po karakterizohet gjithnjë e më shumë nga aleanca, kundër-aleanca dhe kërkesa për garanci të reja sigurie.

“Mburoja e Akilit” mund të jetë vetëm fillimi i një partneriteti që synon të ndryshojë arkitekturën e sigurisë në këtë pjesë të Mesdheut.

Advertisement