Shkrime
Ambasadori amerikan ende s’ka ardhur, por loja ka nisur…Murrizi zbulon prapaskenat
Ndryshe nga pritshmëritë për një valë të re urimesh politike, ardhja e ambasadorit të ri amerikan në Shqipëri, Eric Wendt, po shoqërohet me atë që ish-deputeti Myslim Murrizi e cilëson si një “heshtje të pazakontë”.
Në një reagim të tij, Murrizi ironizon klasën politike shqiptare, duke ngritur pyetjen se çfarë mund të ketë ndryshuar pas pritjes së bujshme që shoqëroi emërimin e ambasadorit të ri amerikan.
Sipas tij, politikanë që më parë nxitonin të shfaqnin publikisht afrimitetin me përfaqësuesit amerikanë, tashmë kanë ulur ndjeshëm tonin.
Murrizi shkon edhe më tej, duke hedhur dyshimin se një pjesë e politikës mund të jetë e interesuar që ambasadori të mos mbërrijë në Tiranë, ndërsa e lidh këtë me mënyrën se si, sipas tij, funksionojnë lobimet dhe interesat financiare.
Por pjesa më e fortë e reagimit lidhet me atë që mund të ndodhë pas mbërritjes së ambasadorit.
Murrizi ironizon politikanët shqiptarë, duke thënë se ata mund të nisin një garë të re për të takuar ambasadorin dhe, njëkohësisht, për të raportuar tek amerikanët për njëri-tjetrin.
Në fokusin e kritikës së tij është edhe nisja e sesionit të ri parlamentar më 8 shtator.
Murrizi parashikon që debati politik të dominohet sërish nga raporti me Shtetet e Bashkuara dhe nga gara se “kush e do më shumë Amerikën dhe kë do më shumë Amerika”.
Në fund, ish-deputeti e zhvendos akuzën tek legjitimiteti i përfaqësimit politik, duke pretenduar se një numër i madh deputetësh nuk janë zgjedhur drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve, por janë përcaktuar nga strukturat drejtuese të partive.
Një reagim i ashpër dhe ironik, që e vendos ardhjen e ambasadorit amerikan në qendër të një tjetër debati: a do të jetë ai një faktor i ri presioni mbi politikën shqiptare dhe kush do të nxitojë i pari të fitojë favorin e Uashingtonit?
E PLOTE
Nuk e di se çfarë ka ndodhur, por shyqyr që u qetësua si me buton i gjithë enturazhi e estabilishmenti politik nga lumi i urimeve pa fund për mirëseardhjen e ambasadorit të ri amerikan në Shqipëri.
Shyqyr që ramë rehat, se nuk ngeli hajdut e harbut, hipokrit e mashtrues, servil e debil në FB pa bërë postim ku i uronte punë të mbarë e mirëseardhjen në Tiranë ambasadorit Eric Wendt.
Madje e “uruan” nga burgu edhe ata politikanë që janë brenda për korrupsion e disa të tjerë që janë në gjykim në GJKKO për korrupsion e vrasje të qytetarëve të pafajshëm nga babëzia e pangopshmëria.
Do kenë marrë vesh ndonjë gjë, mendoj, që nuk po i shoh të urojnë më!
Ose kanë “lobuar” që të mos vijë fare, se Amerikës, më duket, po pagove sa qimet e kokës dhe të gjesh vendin ku paguhet, nuk i plas shumë për parime, norma, ligje e vendime.
Shprehja e tyre legjendare është: “Çfarë nuk blihet me para, blihet me shumë e shumë para”.
Po nuk erdhi, bëni gati postimet në FB për të “treguar” secili, sipas interesit të tij bythec, pse nuk erdhi dhe “ndikimin” që ka pasur secili nga ju.
Meqë të martën, datë 8 shtator, nis sesioni i ri parlamentar, hapni sytë që këtë seancë, siç e do zakoni, të “ziheni” vetëm për Amerikën: se kush nga ju e do më shumë dhe kë nga ju do Amerika më shumë, se për shqiptarët nuk keni çfarë të flisni, sa kohë që 106 krerë nga ju nuk janë zgjedhur nga vota e shqiptarëve, por janë emëruar nga firma e kryetarëve.