Aktualitet
Shkollat me ChatGPT, Ministria jep udhëzimin për përdorimin e AI, rregullat e përdorimit
Inteligjenca Artificiale do të mund të përdoret në shkollat shqiptare si një mjet ndihmës për mësuesit dhe nxënësit. Ministria e Arsimit ka publikuar një udhëzues për përdorimin e mjeteve të Inteligjencës Artificiale, përfshirë ChatGPT, Gemini dhe platforma të tjera.
Udhëzuesi, i publikuar nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, përcakton se Inteligjenca Artificiale duhet të shërbejë për të mbështetur aftësitë njerëzore dhe jo për t’i zëvendësuar ato.
Sipas dokumentit, mësuesit mund ta përdorin AI-në për përgatitjen e materialeve mësimore, krijimin e ushtrimeve dhe pyetjeve, hartimin e testeve dhe provimeve, si dhe për përgatitjen e rubrikave dhe kritereve të vlerësimit.
Mjetet e Inteligjencës Artificiale mund të përdoren në një gamë të gjerë lëndësh, nga gjuha shqipe dhe gjuhët e huaja te matematika, artet dhe edukimi fizik. Ato mund të ndihmojnë gjithashtu në përkthimin e teksteve dhe korrigjimin e gabimeve gjuhësore.
Udhëzuesi parashikon që AI të përdoret edhe për t’iu përshtatur nevojave të ndryshme të nxënësve. Mësuesit mund të krijojnë detyra me nivele të ndryshme vështirësie, të thjeshtojnë shpjegime apo të përgatisin ushtrime shtesë për nxënësit që kanë nevojë për mbështetje.
Edhe nxënësit orientohen ta përdorin Inteligjencën Artificiale në mënyrë të përgjegjshme, për kërkime, projekte dhe zhvillimin e kreativitetit. Dokumenti paralajmëron, megjithatë, për rreziqe si dezinformimi, varësia digjitale, cenimi i privatësisë dhe përdorimi joetik i përmbajtjeve të gjeneruara nga IA.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet plagjiaturës. Nxënësit mund ta përdorin AI-në për të kuptuar një koncept, për të marrë sugjerime ose për të përmirësuar një draft, por kopjimi i drejtpërdrejtë i përgjigjeve të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale konsiderohet cenim i integritetit akademik.
Për këtë arsye, udhëzuesi rekomandon që nxënësit të jenë në gjendje të shpjegojnë procesin e punës dhe jo vetëm të dorëzojnë produktin përfundimtar.
Në thelb, dokumenti synon që përdorimi i ChatGPT dhe mjeteve të tjera të AI-së në arsim të shërbejë si mbështetje për procesin mësimor, ndërsa mësuesi dhe nxënësi të mbeten në qendër të procesit të të nxënit dhe vendimmarrjes.