Kosova
Biserko i del përballë Brukselit: Po i zgjat jetën regjimit të Aleksandër Vuçiçit
Funeral i Ratko Mladiqit ka rikthyer në qendër të debatit raportin e Bashkimit Evropian me Serbinë.
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, akuzon Brukselin se po tregohet sërish tolerant ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq.
Në një intervistë për KTV-në, Biserko komentoi deklaratën e Komisionit Evropian se ceremonia e varrimit të Mladiqit nuk ishte organizuar nga shteti serb.
Sipas saj, ky qëndrim përbën një tjetër “përkëdhelje” ndaj Vuçiqit.
Biserko u shpreh se BE-ja ka humbur mundësinë për të trajtuar seriozisht të kaluarën e rajonit dhe për të nxitur reforma të vërteta në Serbi.
Ajo paralajmëron gjithashtu se mbështetja e vazhdueshme e status quo-së politike mund të ketë pasoja.
“Sa më shumë që BE-ja e prolongon jetën e regjimit të Vuçiqit, më keq do të jetë për Serbinë.” – deklaroi Biserko
Ratko Mladiq, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, u varros në Serbi disa ditë pas vdekjes në Hagë.
Ndërkohë, Komisioni Evropian ka përsëritur qëndrimin kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës dhe mohimit të gjenocidit.
Biserko vlerëson se Serbia është larguar nga rruga e reformave dhe se politika e Vuçiqit, sipas saj, ka dështuar të sjellë demokratizimin e vendit.
Deklaratat e saj rikthejnë në vëmendje debatin mbi qasjen e Brukselit ndaj Beogradit dhe perspektivën evropiane të Serbisë.