Politike
Koçiu dënon incidentin ndaj Iris Luarasit: E shëmtuar, nuk përfaqëson Shqipërinë europiane
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka dënuar incidentin e ndodhur sot pranë qendrës tregtare “Toptani”, ku një grup protestuesish iu afruan deputetes së PS, Iris Luarasi, duke e ofenduar teksa ajo po hynte drejt Kuvendit. Koçiu e cilësoi ngjarjen si “dhunë të mirëfilltë dhe të shëmtuar”, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për protestë apo shprehje të zemërimit qytetar.
“Kjo nuk është as protestë, as shprehje e zemërimit qytetar. Është dhunë e mirëfilltë dhe e shëmtuar, e cila duhet dënuar me forcë, pa asnjë hezitim dhe pa asnjë justifikim. Dhuna ndaj përfaqësuesve të institucioneve dhe deputetëve, veçanërisht ndaj grave, si në rastin e sotëm ndaj Iris Luarasit, është një akt i turpshëm. Aq më e rëndë bëhet kur nxitet nga vetë gratë. Sjellje të tilla nuk përfaqësojnë dhe nuk mund të përfaqësojnë Shqipërinë europiane”, shkruajti Koçiu në rrjete sociale