Politike
PARALAJMERIMI I FORTE PER BALLKANIN: GJITHÇKA PO SHKON DREJT NJË PËRPLASJEJE
Tensionet nacionaliste po rikthehen në Ballkan, ndërsa zhvillimet e fundit në Serbi, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë po shtojnë shqetësimet për stabilitetin e rajonit.
Varrimi gjysmëzyrtar në Beograd i kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiç ka rikthyer në vëmendje plagët e luftërave të viteve ’90 dhe ka tensionuar më tej marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bosnjës.
“Politika e errët po e përndjek përsëri Ballkanin”, shkruan ish-kryeministri dhe ish-ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt, në një analizë për Project Syndicate.
Sipas Bildt, situata komplikohet edhe nga dobësimi i angazhimit ndërkombëtar. “Më parë Evropa dhe Shtetet e Bashkuara ishin kryesisht të unifikuara në mbështetjen e tyre për procesin politik në Bosnje. Tani kjo nuk është më kështu”, argumenton ai.
Në Bosnje, zgjedhjet e tetorit dhe përplasjet mes forcave nacionaliste mund të shtojnë më tej pasigurinë politike. Edhe Serbia përballet me tensione të brendshme, pas muajsh protestash dhe përplasjesh politike.
Ndërkohë, në Kosovë dialogu me Serbinë mbetet i bllokuar, ndërsa zhvillimet e fundit politike dhe gjyqësore kanë shtuar distancën mes Prishtinës dhe disa prej partnerëve të saj ndërkombëtarë.
Bildt paralajmëron se “rreziku i përhapjes së ndërsjellë që forcon njëra-tjetrën është i lartë”, duke iu referuar krizave politike në vendet e rajonit.
Megjithatë, ai thekson se kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht rikthim i luftërave në Ballkan. “Edhe përplasjet e kufizuara mund të jenë të mjaftueshme për ta shtyrë të gjithë rajonin në një rrugë më të pasigurt dhe më të rrezikshme”, shkruan Bildt.
Në përfundim, ai u bën thirrje veçanërisht vendeve evropiane që t’i kushtojnë më shumë vëmendje zhvillimeve në Ballkan, duke paralajmëruar se rajoni mbetet një pikë e ndjeshme për stabilitetin e Evropës.