✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

Ukraina zbraz xhepat e Europes, Zelensky: Na duhen 27 miliardë dollarë, ose mbetemi pa armë

Ukraina përballet me një tjetër alarm financiar në mes të luftës me Rusinë. Presidenti Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se Kievi duhet të sigurojë rreth 27 miliardë dollarë brenda dy muajve të ardhshëm, për të mbuluar një boshllëk në buxhetin e mbrojtjes.

Sipas Zelenskyt, pa këto fonde Ukraina rrezikon të ketë vështirësi në blerjen e armëve që në fillim të vitit të ardhshëm.

“Shumica e këtyre parave janë për dronët, raketat dhe furnizimet për luftëtarët tanë”, deklaroi presidenti ukrainas, duke theksuar se rreth një e treta e shumës nevojitet për dronë që do të përdoren gjatë janarit, shkurtit dhe marsit.

Zelensky tha se porositë duhet të bëhen dhe të paguhen që në tetor dhe nëntor. Përndryshe, sipas tij, Ukraina mund të përballet me mungesa serioze në muajt e parë të vitit 2027.

Pikërisht financimi i këtij deficiti ishte një nga temat kryesore të bisedimeve të Zelenskyt me partnerët europianë. Ai i bëri thirrje Komisionit Europian të përshpejtojë këstin e dytë të kredisë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën.

Kievi e kishte bërë publik këtë boshllëk financiar që në gusht, pasi shpenzimet e mbrojtjes u përshpejtuan dhe disa financime europiane u vonuan.

Ndërkohë, vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë rënë dakord për lirimin e 6.6 miliardë eurove nga Fondi Europian i Paqes për Ukrainën.

Sipas shefes së diplomacisë europiane, Kaja Kallas, 900 milionë euro do të shkojnë për misionin ushtarak të BE-së, 1 miliard euro për prokurime të përbashkëta dhe 4.7 miliardë euro për rimbursimin e shteteve anëtare.

Por për Kievin, çështja mbetet urgjente: 27 miliardë dollarë duhet të gjenden në vetëm dy muaj, për të garantuar armët dhe dronët e nevojshëm për muajt e parë të vitit të ardhshëm.

Advertisement