Shkrime
5 TETOR BETEJA FINALE/ FLAMINGOT PO PRESION SURPRIZEN NGA SPAK
5 tetori pritet të jetë dita më e rëndësishme e Revolucionit të Flamingove. Organizatorët po intensifikojnë përgatitjet për protestën e së hënës, të cilën e konsiderojnë kulmin e lëvizjes së nisur prej javësh.
Synimi i tyre është i qartë: një pjesëmarrje sa më e madhe dhe një manifestim që, sipas organizatorëve, të kthehet në protestën më të fuqishme të kësaj lëvizjeje kundër qeverisë së Edi Ramës.
Në fokus të organizimit janë edhe studentët.
Aktivistët pritet të zhvillojnë takime në fakultetet e Tiranës, me synimin për të zgjeruar pjesëmarrjen dhe për të përfshirë sa më shumë të rinj në protestën e 5 tetorit.
Në terren, sipas burimeve pranë organizatorëve, janë angazhuar edhe strukturat e partive të vogla opozitare, ndërsa pritet një përfshirje më e madhe e Partisë Demokratike.
Protesta përkon me ditën e seancës parlamentare dhe, sipas skenarit të diskutuar nga organizatorët, tubimi mund të shtrihet njëkohësisht përpara Kuvendit dhe Kryeministrisë.
Por një tjetër element po i shton pritshmëritë për protestën.
Organizatorët pretendojnë se mund të ketë zhvillime të reja nga SPAK-u, me hapjen apo avancimin e një çështjeje hetimore që, sipas tyre, mund të godasë një tjetër figurë të rëndësishme të mazhorancës.
Deri tani, nuk ka një konfirmim zyrtar për një hetim të tillë.
Megjithatë, kjo pritshmëri është kthyer në një nga pikat kryesore të diskutimit brenda organizatorëve të protestës.
Në sfond është edhe ardhja e ambasadorit të ri amerikan në Tiranë, Erik Wendt.
Qëndrimi i tij ndaj protestave dhe zhvillimeve politike pritet të ndiqet me vëmendje, ndërsa organizatorët kanë shprehur shqetësimin se Uashingtoni mund të mos mbështesë kauzën e tyre.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu zgjerimin e mbështetjes përtej Shqipërisë.
Sipas organizatorëve, pritet pjesëmarrje edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa kauza që i bashkon mbetet kundërshtimi ndaj zhvillimeve që lidhen me zonën e Zvërnecit.
Organizatorët presin gjithashtu një vëmendje të konsiderueshme nga mediat ndërkombëtare.
Por pyetja kryesore mbetet nëse protesta e 5 tetorit do të arrijë të prodhojë një moment të ri politik.
Për organizatorët, kjo është përballja më e rëndësishme e Revolucionit të Flamingove. Për qeverinë, sfida është të përballojë një tjetër protestë në një klimë të tensionuar politike.
Tashmë gjithçka pritet të vendoset më 5 tetor: pjesëmarrja, përmasat e protestës dhe mbi të gjitha, nëse ndonjë zhvillim i ri nga institucionet e drejtësisë do t’i japë një tjetër dimension përplasjes politike.