Aktualitet
NJË RRJET E THURUR NË HIJE/ Deklaratat e Artan Hoxhës hapin një tjetër kapitull
Gazetari Artan Hoxha ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si është emëruar dhe ka funksionuar drejtimi i SHISH, ndërsa përgjegjësinë për zgjedhjen e Vlora Hysenit ia atribuoi kryeministrit Edi Rama.
Hoxha tha se më herët, Vlora Hyseni kishte qenë këshilltare e kryeministrit dhe më pas u vendos në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror. Sipas gazetarit, nëse drejtimi i institucionit ka dështuar apo ka pasur probleme, përgjegjësia duhet kërkuar te personi që ka bërë zgjedhjen dhe emërimin.
“Ti e nise me pyetjen, e kujt është përgjegjësia. Është e atij që erdhi në Rinas. Ne e dimë shumë mirë, aq sa e njohim, ai nuk e jep dorëheqjen. Sa më shumë të shtohen skandalet, ai nuk e jep dorëheqjen. Përgjegjësia thashë është e kryeministrit, atë zonjën e ka patur këshilltare dhe e vuri të SHISH. Tha se nuk flas direkt. Shërbimi sjell informacion dhe ti thua vlen apo jo. E kur diçka nuk shkon, thua çfarë po ndodh. Jemi në NATO dhe kemi objektivat që vijnë. Dhe kemi objektivat tona”, tha Hoxha.
Ai u ndal më tej te Ergys Agasi dhe roli që ky i fundit kishte krijuar mes botës së krimit dhe strukturave shtetërore. Hoxha deklaroi se fuqia e Agasit nuk mund të kishte imunitet, pa mbështetjen që gazetari dyshon se, e kishte nga nivele të ndryshme.
“Gjatë shërbimit të vet nuk kishte një dysh. Ndërsa Ergysi nuk është as biznesmen dhe as gangster. Është nga një familje shumë e mirë. U vendos të kishte një pikë mes krimit dhe shtetit, Gysi nuk vlen një lek pa e mbështetur ata poshtë dhe imunitetin nga ai lart. Kur del avokati i vet thotë që zyrtarisht nuk ka patur asnjë rol zyrtar. Miratim nga lart dhe propozim nga poshtë. Kur flet me Gysin ki parasysh se është një strukturë nga pas. Ra numri i vrasjeve, pse? Se ai kishte pushtet. Nga i buron kjo fuqi? Koordinatori i tretë mes krimit dhe shtetit”, tha Hoxha.
Një tjetër pikë ku u ndal gazetari ishte marrja e shtetësisë shqiptare nga Vlora Hyseni. Sipas tij, Hyseni e mori pasaportën shqiptare në vitin 2016, ndërsa ngriti pikëpyetje mbi kriteret që ishin ndjekur dhe më pas për përzgjedhjen e saj si këshilltare e kryeministrit.
Gazetari ngriti pikëpyetje edhe mbi mënyrën se si funksiononte drejtimi i SHISH gjatë periudhës së Hysenit. Ai u shpreh se, drejtuesja kishte shmangur hierarkinë dhe komunikimin standard brenda institucionit, ndërsa foli edhe për kontakte të shpeshta me një zyrtar që merrej me krimin e organizuar.
“Pse shkoi zonja Hyseni në këtë lloj historie? Kur u bë drejtoreshë e Shërbimit nuk la numër dy, krijoi një lidhje direkte dhe bënte tre takime në ditë me një nga shefat kryesorë që merrej me krimin e organizuar. Pse me krimin e organizuar dhe pse duhej kaq shpesh ky kontakt? Krijoi një rreth të ngushtë. Mori sekretaren e bëri direkt këshilltare. Ajo në shërbim shmangu komunikimin standard”, tha Hoxha.