✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

ALARMI I ALIBEAJT: Informacionet e SHISH-it mund të jenë përdorur për shantazh

Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka ngritur shqetësime mbi sigurinë e informacionit të mbledhur nga Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH), duke hedhur pyetjen nëse të dhëna sensitive mund të kenë përfunduar në duart e krimit të organizuar apo aktorëve të huaj.

Në një deklaratë të tij, Alibeaj tha se, sipas tij, çështja nuk duhet parë vetëm si përgjegjësi individuale, por edhe si një problem institucional, nëse provohet se informacionet e klasifikuara kanë rrjedhur.

“Sa të sigurt jemi ne që informacionet zyrtare të mbledhura nga SHISH-i t’i jenë transferuar krimit të organizuar?”, pyeti Alibeaj, duke ngritur paralelisht shqetësimin edhe për informacionet sensitive që lidhen me NATO-n.

Ai ngriti pikëpyetje edhe mbi sigurinë e rrjetit të informatorëve të SHISH-it, duke pyetur nëse të dhënat për ta mund të kenë rënë në duart e grupeve kriminale.

Sipas Alibeajt, edhe nëse përgjegjësia penale i takon një individi, pasojat e mundshme për institucionin dhe sigurinë kombëtare janë më të gjera.

“Përgjegjësia institucionale, pra dëmi që është shkaktuar, nuk është thjesht individual”, u shpreh ai.

Alibeaj paralajmëroi gjithashtu se informacionet e ndjeshme që mund të kenë përfunduar në duar të gabuara mund të përdoren për qëllime shantazhi.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur është ngritur debat publik mbi rrjedhjen e mundshme të informacioneve nga SHISH. Vetë SHISH përcakton mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, burimeve dhe metodave të punës si pjesë të detyrave të tij institucionale.

Advertisement