Politike
Çështja Balluku/ Balla: Ata që kanë shkelur besimin, të përballen me drejtësinë
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është pyetur nga gazetarët për çështjen “Balluku” dhe qëndrimin e mazhorancës lidhur me kufizimin e lirisë për personat me mandat parlamentar.
Nga Kryesia e Kuvendit, Balla tha se institucioni e ka ushtruar të drejtën e tij në rastet që lidhen me deputetët, ndërsa theksoi se nuk mban rolin e avokatit të askujt.
“Nuk jam avokat i askujt. Në rastin e personave me mandat parlamentar, Kuvendi i Shqipërisë, në respekt të së drejtës së tij, e ka ushtruar këtë të drejtë”, deklaroi Balla.
Ai u ndal më tej te çështja e paraburgimit, duke përsëritur qëndrimin se Shqipëria duhet t’i japë fund praktikës së kufizimit të lirisë përpara vendimeve të gjykatës. Balla iu referua edhe statistikave europiane për përdorimin e paraburgimit, duke e cilësuar Shqipërinë si vend me problematika në këtë drejtim.
I pyetur nëse ka pasur komunikime me eurodeputetë lidhur me çështjen, Balla tha se nuk kishte interes për këtë çështje dhe theksoi se standardi, sipas tij, është që vendimet e gjykatave të mos komentohen.
“Ata kanë një standard; nuk komentohen vendimet e gjykatave. Ata që kanë shkelur besimin, le të përballen me drejtësinë”, u shpreh Balla.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur çështja “Balluku” është në qendër të debatit politik dhe institucional, ndërsa mazhoranca vijon të deklarojë se çështjet që lidhen me hetimet dhe vendimet gjyqësore duhet të trajtohen nga organet e drejtësisë.