Aktualitet
Vlora Hyseni përballet me SPAK, ankimon arrestin në shtëpi
Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ka ankimuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, duke iu drejtuar Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Kërkesa është depozituar sot nga avokati i Hysenit, sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha. Me ankimimin, ish-kreu i SHISH kërkon ndryshimin e masës së sigurisë të vendosur nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë.
Sipas mbrojtjes, nuk ekzistojnë kushtet ligjore për vendosjen e masës “arrest në shtëpi” dhe për këtë arsye kërkohet heqja e saj.
Vlora Hyseni po hetohet nga SPAK për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Tashmë pritet që kërkesa e mbrojtjes të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila do të vendosë lidhur me masën e sigurisë ndaj ish-drejtoreshës së SHISH.