Politike
Rama në Bruksel: Ishim Koreja e Veriut e Evropës, por tani synojmë botën
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel, ku ka marrë pjesë në Samitin e Euronews 2026, me fokus zhvillimin e turizmit, investimet dhe perspektivat e sektorit në Europë.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te rritja e interesit ndërkombëtar për Shqipërinë si destinacion turistik dhe te ndryshimi i perceptimit për vendin në arenën ndërkombëtare. Ai tha se Shqipëria po përpiqet të prezantojë potencialet e saj përtej stereotipeve të krijuara ndër vite.
I pyetur se përse një turist duhet të zgjedhë Shqipërinë, Rama u përgjigj se vendi është tashmë pjesë e hartës së destinacioneve që po vizitohen gjithnjë e më shumë.
“Sepse të gjithë po vizitojnë Shqipërinë. Nëse nuk viziton Shqipërinë, je një nga të paktët që nuk e viziton Shqipërinë”, tha Rama.
Kryeministri e lidhi zhvillimin e turizmit me transformimin e imazhit të Shqipërisë jashtë kufijve. Ai kujtoi periudhën e izolimit të vendit, duke thënë se Shqipëria për vite me radhë është përballur me stereotipe dhe se objektivi i sotëm është zgjerimi në tregun global.
“Synimi ynë është bota. Ka një plan, ne po punojmë në bazë të një plani. Ajo që kam mësuar nga e gjithë kjo betejë është që, në fund të fundit, për të ndryshuar emrin duhet të ndryshosh vetveten”, u shpreh Rama.
Në fjalën e tij, kryeministri veçoi klimën, gastronominë, mikpritjen dhe diversitetin e peizazheve si disa prej elementëve që, sipas tij, e bëjnë Shqipërinë tërheqëse për turistët. Ai përmendi gjithashtu shtrirjen e territorit dhe praninë e dy deteve, lumenjve dhe zonave malore.
Rama tha se rritja e turizmit po shoqërohet edhe me zgjerimin e origjinës së vizitorëve, duke përmendur turistë nga tregje të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë Spanjën, Japoninë, Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe Izraelin.
Duke folur për ecurinë e sektorit, Rama deklaroi se kur nisi ajo që ai e cilësoi si “udhëtim transformues”, Shqipëria regjistronte rreth 2 milionë hyrje turistësh, ndërsa vitin e kaluar, sipas tij, vendi arriti në rreth 12 milionë vizitorë të huaj.
“Kur nisëm këtë udhëtim transformues, numëronim 2 milionë turistë. Vitin e kaluar përfunduam me 12 milionë të huaj”, deklaroi kryeministri.
Pjesëmarrja e Ramës në samit u përqendrua te potenciali i Shqipërisë në sektorin e turizmit, investimet dhe përpjekjet për zgjerimin e tregjeve ndërkombëtare, në një kohë kur turizmi vijon të jetë një nga sektorët kryesorë të promovuar nga qeveria shqiptare.