Politike
NGA ‘DO BEHET ME HIR OSE ME PAHIR’, TEK ‘PRESIM EKSPERTIZEN’/ RAMA ZBUT TONET PARA VENDIMIT FINAL
Nga “do të ndërtohet me hir ose pahir” – tek premtimi për transparencë dhe ekspertiza mjedisore. Edi Rama duket se ka zbutur tonet për projektin e Zvërnecit, duke deklaruar se vendimi përfundimtar do të merret vetëm pasi të bëhen publike dokumentet, vendimet dhe vlerësimet e ekspertëve.
Gjatë një interviste Rama u pyet edhe për projektin e lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, si dhe për mënyrën se si ky projekt mbërriti në Shqipëri.
Kryeministri deklaroi se brenda pak ditësh do të publikohen të gjitha dokumentet, vendimet dhe ekspertizat e arkitektëve dhe inxhinierëve të mjedisit, ndërsa tha se vendimmarrja për projektin do të bëhet pasi këto materiale të jenë bërë transparente.
Por kjo qasje e re e kryeministrit bie në kontrast me deklaratat e tij të mëparshme për projektin.
Më herët, kryeministri Rama kishte deklaruar se projekti i Ivanka Trump dhe Jared Kushner nuk do të pezullohej.
Në një tjetër deklarim, kryeministri kishte përdorur një gjuhë edhe më të prerë, duke thënë se për sa kohë ai do të ishte në krye të qeverisë, projekti i Kushnerit do të ndërtohej “me hir ose pahir”.
Tashmë, megjithatë, Rama e vendos theksin tek dokumentet, ekspertizat dhe transparenca, duke deklaruar se vendimi do të merret pas publikimit dhe shqyrtimit të tyre.
Kështu, nga një projekt që kryeministri e kishte paraqitur më herët si një zhvillim të pakthyeshëm, Zvërneci kalon në fazën e një vendimmarrjeje që, sipas Ramës, do të varet nga dokumentet dhe vlerësimet mjedisore.