Politike
Von der Leyen në Tiranë, tensione te Kryeministria/ Protestuesit: Arrestoni Ramën
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndodhet në Tiranë në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor, me fokus procesin e integrimit evropian të vendeve të rajonit.
Për vizitën e zyrtares së lartë evropiane janë marrë masa të shtuara sigurie. Bulevardi pranë Kryeministrisë është bllokuar për qarkullimin, ndërsa në zonë janë vendosur barriera metalike dhe janë shtuar efektivët e policisë.
Pavarësisht masave të sigurisë, disa qytetarë janë mbledhur pranë zonës së Kryeministrisë në shenjë proteste. Sipas pamjeve të siguruara nga Report TV, gjatë protestës ka pasur përplasje mes qytetarëve dhe policisë.
Në videot e publikuara dëgjohen protestuesit duke brohoritur kundër kryeministrit Edi Rama, mes tyre edhe thirrja “Arrestoni Ramën”.
Vizita e Ursula von der Leyen në Tiranë zhvillohet në një moment kur integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian mbetet një nga çështjet kryesore të agjendës politike dhe institucionale të vendit.