Politike
Rama prezanton “Pasqyrën Flamingo”/ Nis me dosjen e Sazanit
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar “Pasqyrë Albania”, një platformë të re që, sipas tij, synon të ofrojë akses te dokumentet dhe dosjet qeveritare me interes publik. Një nga komponentët e saj është “Pasqyra Flamingo”, e cila do të nisë me dosjen e Zvërnecit dhe Sazanit.
Gjatë prezantimit, Rama tha se platforma synon të rrisë transparencën dhe t’u mundësojë qytetarëve të konsultojnë dokumentet zyrtare që lidhen me çështje të diskutuara gjerësisht në publik.
Sipas kryeministrit, zgjedhja e dosjes së Sazan-Zvërnecit si materiali i parë lidhet me vëmendjen e madhe publike që ka marrë kjo çështje. Ai njoftoi se në vijim do të publikohen edhe dosje të tjera, mes tyre ajo që lidhet me KAYO-n dhe projekti Milot-Balldren.
Rama deklaroi se platforma do të përfshijë gjithashtu mundësinë për të ndjekur në kohë reale projektet publike të financuara nga taksat, si dhe një seksion me pyetje dhe përgjigje zyrtare.
Kryeministri theksoi se në “Pasqyrën Flamingo” synohet të publikohen dokumente dhe referenca zyrtare, duke e përshkruar platformën si një hapje të dokumentacionit të administratës publike.
Sa i përket dosjes së Sazan-Zvërnecit, Rama tha se ajo është ende në proces plotësimi. Sipas tij, në vijim do t’i shtohen dokumente të tjera, përfshirë projektin urbanistik dhe studimin e ndikimit në mjedis. Dosja do të konsiderohet e mbyllur vetëm pasi të jenë përfshirë dokumentet përkatëse, ndërsa në platformë do të shënohet statusi i saj.