Aktualitet
“Enët e palara”/ Prindi ngre dyshime për helmimin e fëmijëve në kopsht
Një prind i fëmijëve në kopshtin nr. 2 në Korçë ka ngritur dyshime lidhur me shkakun e simptomave të shfaqura nga disa fëmijë, duke kërkuar një hetim të plotë për të përcaktuar rrethanat e rastit.
Sipas prindit, dezinfektimi në ambientet e kopshtit është kryer në fillim të muajit shtator, ndërsa enët e kuzhinës nuk ishin përdorur deri pak ditë më parë, pasi shërbimi i ushqimit nuk kishte nisur për shkak të mungesës së tenderit.
Prindi tregon se ushqimi nisi të enjten, ndërsa të premten në mbrëmje djali i tij shfaqi simptoma që, sipas tij, ngjanin me ato të një helmimi.
Pikërisht kjo përkoncim kohor ka ngritur dyshime te familjarët për kushtet në të cilat janë mbajtur dhe përdorur enët e kuzhinës pas një periudhe të gjatë mospërdorimi.
Prindërit kërkojnë që të verifikohen në mënyrë të plotë kushtet higjieno-sanitare të kopshtit, ushqimet e konsumuara nga fëmijët dhe enët e kuzhinës, me qëllim përcaktimin e shkakut të simptomave.
Deri në përfundimin e verifikimeve dhe analizave përkatëse, shkaku i simptomave mbetet për t’u përcaktuar.
Kopshti, i njohur më herët si kopshti nr. 17, tashmë njihet si kopshti nr. 2 në Korçë.