Politike
Ankesa e Ajola Xoxës për sekuestrimin e telefonit, caktohet data në Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese ka caktuar 24 nëntorin si datën kur do të shqyrtojë në seancë plenare një tjetër ankesë lidhur me sekuestrimin e telefonave dhe pajisjeve elektronike nga Prokuroria e Posaçme.
Pas çështjeve të gazetarit Elton Qyno dhe Onejda Ymerit, në fokus të Gjykatës Kushtetuese do të jetë ankesa e Ajola Xoxës, bashkëshorte e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, si dhe e shoqërisë “Partners Law”.
Sipas kalendarit të gjykatës, kërkuesit kërkojnë shfuqizimin, si të papajtueshme me Kushtetutën, të tre vendimeve të gjykatave më të ulëta: vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë të 20 dhjetorit 2024, vendimit të Gjykatës së Apelit të Posaçëm të 19 shkurtit 2025 dhe vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të 22 majit 2025.
Të tria vendimet kanë rrëzuar kërkesat e paditësve, përfshirë kërkesën e Xoxës për kthimin e telefonit dhe dokumenteve që ishin sekuestruar nga SPAK gjatë kontrolleve të zhvilluara në dhjetor 2024, në kuadër të hetimeve ku Erjon Veliaj është i pandehur.
Kërkuesit kanë pretenduar se kontrollet e kryera nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe sekuestrimi i pajisjeve janë bërë në shkelje të ligjit.
Çështja do të shqyrtohet në seancë plenare mbi bazën e dokumenteve, ndërsa SPAK pritet të paraqesë prapësimet e tij lidhur me pretendimet e kërkuesve.
Ankesa vjen në një moment kur Gjykata Kushtetuese ka vendosur më herët për dy raste të tjera që lidhen me sekuestrimin e pajisjeve elektronike.
Në çështjen e gazetarit Elton Qyno, Kushtetuesja ka vlerësuar se thirrja e tij në SPAK për të dhënë burimet e informacionit dhe sekuestrimi i pajisjeve kanë cenuar lirinë e shprehjes dhe mbrojtjen e burimeve gazetareske.
Ndërsa në rastin e Onejda Ymerit, Gjykata ka theksuar mbrojtjen kushtetuese të korrespondencës dhe të dhënave personale, duke vlerësuar se kontrolli i të dhënave në një telefon kërkon vendimmarrje gjyqësore.
Tashmë, më 24 nëntor, Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë nëse të njëjtat parime janë respektuar edhe në rastin e Ajola Xoxës dhe shoqërisë “Partners Law”.