Aktualitet
Helmimi i fëmijëve të kopshtit/ Babai i njërit prej tyre: Drejtoresha nuk përgjigjet në telefon
Dyshime për një rast helmimi ushqimor janë ngritur në kopshtin nr. 2 në Korçë, pasi një numër fëmijësh kanë shfaqur simptoma të ngjashme dhe disa prej tyre janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Një prej prindërve, Koço Xexo, tregon se djali i tij ka shfaqur të vjella, dobësi dhe zverdhje, ndërsa sipas tij, rreth 20 fëmijë mund të kenë pasur simptoma, me intensitet të ndryshëm.
Xexo rrëfen se fëmijën e mori nga kopshti rreth orës 13:30. Fillimisht ai kishte shfaqur shqetësime të lehta në bark, por pas gjumit gjendja e tij u përkeqësua dhe nisën të vjellat.
“Kur u ngrit, u ngrit direkt dhe kishte të vjella. Të vjellat nisën, u bënë më periodike dhe më të shpeshta. Fëmija humbi pothuajse edhe fuqinë fare, u zverdh shumë dhe u bë shumë shqetësuese”, tregon babai.
Fëmija u dërgua në Spitalin e Korçës, ku mori trajtim mjekësor. Sipas prindit, mjekja dyshoi për helmim nga produktet ushqimore, ndërsa analizat treguan edhe rritje të rruazave të bardha të gjakut.
Sipas tij, fëmijët kishin konsumuar në drekë pilaf, mish pule dhe kos, ndërsa në mëngjes kishin ngrënë bukë me vezë. Megjithatë, ende nuk ka një konfirmim zyrtar se cili produkt mund të ketë shkaktuar simptomat.
Prindi thotë se disa fëmijë të tjerë janë trajtuar në spital, ndërsa pjesa më e madhe kanë shfaqur simptoma më të lehta. Ai ngre gjithashtu shqetësimin për komunikimin me drejtuesit e kopshtit.
“Shumë prindër tentuan ta telefononin disa herë drejtoreshën dhe nuk patën asnjë lloj përgjigjeje nga telefoni”, deklaron Xexo, duke shtuar se edukatorja e grupit ishte interesuar për gjendjen e fëmijëve dhe kishte shkuar në spital.
Prindi thekson se nuk beson se ngjarja ka qenë e qëllimshme, por kërkon verifikim të plotë të kushteve dhe produkteve ushqimore të përdorura në kopsht.
“Unë nuk besoj se mund të jetë një gjë me qëllim. Mund të jetë diçka nga pakujdesia ose nga kontrolli i produkteve të para që merren”, u shpreh ai.
Ndërkohë, prindërit kërkojnë që të përcaktohet sa më shpejt shkaku i simptomave dhe të merren masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e fëmijëve.