✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Po fshihet numri real? Trondit prindi: Fëmijët e helmuar në kopsht mund të jenë trefish më shumë

Dyshimet për një rast helmimi ushqimor në një kopsht në Korçë janë zgjeruar, pasi një prind pretendon se numri i fëmijëve që kanë shfaqur simptoma mund të jetë shumë më i lartë se shifra e raportuar fillimisht.

Gjashtë fëmijë u dërguan në spital me simptoma të ngjashme, kryesisht të vjella, ndërsa Koço Xexo, prindi i njërit prej fëmijëve të prekur, thotë se nga informacionet e mbledhura prej prindërve të tjerë, rreth 20 fëmijë mund të kenë shfaqur simptoma, me intensitet të ndryshëm.

“Me shifër të saktë nuk e di, me përafërsi mendoj se mund të jenë diku te 20 fëmijë. (…) Pothuajse të gjithë shfaqën simptoma, dikush më të lehta, dikush më të rënda”, tha Xexo për mediat.

Sipas prindit, fëmijët kishin konsumuar në kopsht bukë me vezë për mëngjes, ndërsa për drekë pilaf, mish pule dhe kos. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar zyrtarisht nëse ndonjë prej këtyre ushqimeve ka shkaktuar simptomat.

Xexo tregon se djali i tij u dërgua në spital pasi gjendja e tij u përkeqësua, ndërsa sipas tij, mjekët dyshuan për një problem të shkaktuar nga produktet ushqimore.

“Mjekja, djalit tim të paktën i bëri analiza të plota (…) dhe doli që kishte helmim, më tha nga produktet ushqimore, dyshonte për këtë”, deklaroi ai.

Prindi ngre gjithashtu shqetësime për komunikimin me drejtuesen e kopshtit, e cila, sipas tij, nuk u është përgjigjur telefonatave të disa prindërve pas ngjarjes.

“Nga drejtoresha nuk arritëm dot të merrnim asnjë kontakt. (…) Shumë prindër tentuan ta telefononin disa herë drejtoreshën dhe nuk patën asnjë lloj përgjigjeje”, tha Xexo.

Sipas tij, edukatorja e grupit është interesuar për gjendjen e fëmijëve dhe ka shkuar në ambientet e spitalit për të marrë informacion mbi ta.

Ndërkohë, drejtoresha e kopshtit, me inicialet M.K., raportohet se është nën hetim lidhur me dyshimet për mospërmbushjen e detyrimeve në lidhje me kontrollin e ushqimit të shërbyer fëmijëve. Përgjegjësia përfundimtare për ngjarjen pritet të përcaktohet nga hetimi i autoriteteve.

Në përfundim, Xexo kërkon shtimin e kontrolleve dhe rritjen e kujdesit për ushqimet që u shërbehen fëmijëve.

“Unë nuk besoj se mund të jetë një gjë me qëllim, ose mund të jetë diçka nga pakujdesia ose nga kontrolli i produkteve të para që merren”, u shpreh ai, duke theksuar nevojën për më shumë përgjegjësi dhe kontrolle në institucionet ku qëndrojnë fëmijë të vegjël.

Hetimet pritet të përcaktojnë shkakun e simptomave dhe nëse ato kanë lidhje me ushqimet e konsumuara në kopsht.

Advertisement